E Shtunë, 31 Tetor 2026

Depresioni, sëmundja e Bundesligës

Depresioni gjithnjë e më fuqishëm po troket në dyert e Bundesligës. Dy vite më parë portieri i Hannoverit, Robert Enke bëri vetëvrasje për shkak të problemeve të depresionit kronik. Ndërsa javën e kaluar edhe portieri rezervist i kësaj skuadre, Markus Miller pranoi se vuan nga problemet mendore. Psikiatri Frank Schneider thotë se ka edhe shumë futbollistë të tjerë nga Bundesliga që kanë probleme të tilla. Nga Express më 14 shtator 2011 në ora 10:06

Portieri rezervist i Hannoverit ,Markus Miller ka pranuar se vuan nga gjendja e vështirë mendore dhe kërkoi tretman mjekësor. Ai nuk është rasti i vetëm. Depresioni është bërë sëmundja e Bundesligës.

Ata mbulojnë sytë me syze të diellit, ndërsa në ordinancë hyjnë nga hyrja e prapme. Pacientët e profesorit Frank Schneider, ish shefit të repartit të psikiatrisë, fizioterapisë dhe sëmundjeve nervore (DGPPN), duan të fshehin identitetin në përpjekje të rikthimit në jetë normale. Ata nuk duan që opinioni të mësojë se ata kanë nevojë për tretman mjekësor. Në mesin e pacientëve ka shumë futbollistë.

“Markus Miller nuk është rasti i vetëm nga Bundesliga”, tha Schneider për agjencinë SID. Portieri rezervist i Hannoverit javën e kaluar pranoi se vuante nga “lodhja mendore” dhe kërkoi ndihmë mjekësore.

Ky është vetëm një rast i thjeshtë. Nëse kanë nevojë për tretman më të gjatë, futbollistët kryesisht arsyetojnë mungesën e tyre me ndonjë lëndim fizik. Ndërsa në regjistrin e pacientëve në ordinanca shkruhen me emra të rremë.

Është interesant fakti se në të shumtën e rasteve problemet e futbollistëve fliten vetëm për lëndime trupore, ndërsa për probleme mendore heshtet. Ato janë tabu. Miller dhe Hannover kanë vendosur që rasti i portierit të del në opinion.

“Kjo është rrugë e mirë”, tha fizioterapeuti dhe psikiatri sportiv, Valentin Markser. Markser para disa viteve u përkujdes për Robert Enken. Portieri i dikurshëm i Hannoverit dhe i Kombëtares gjermane para dy viteve bëri vetëvrasje si rezultat i depresionit kronik.

Por, pak kush përcjell shembullin e Millerit, i cili tregoi publikisht për problemet e tij. Andreas Biermann, ish futbollist i Union Berlinit dhe St Paulit, pas vetëvrasjes së Enkes pranoi para medieve se vuante nga depresioni.

“Depresioni konsiderohet si sëmundje dhe për të nuk ka vend në futboll”, u ankua Biermann. Vendimin e Millerit që njoftoi për problemet e tij mendore e ka mirëpritur opinioni i gjerë.

“Kjo mund të shpëtojë shumë jetë. Ai është shembull për të sëmurët e tjerë”, tha psikiatri Schneier. “Por, është me rëndësi që i gjithë klubi të qëndrojë pranë futbollistit. Vetëm kështu pacienti ka mundësi të shërohet”, shton ai.

Në fakt, ekziston vetëm një klub nga Bundesliga që në stafin e vet ka edhe psikologun, ai është Hamburg. Pas tragjedisë së Enkes dhe vdekjes së tij, në Gjermani vazhdimisht është folur për problemet mendore të sportistëve. Biermann është i sigurt se në Bundesligë ka shumë futbollistë të cilët kanë nevojë për ndihmë.

“Mendoj se në futboll ka mjaft njerëz që kanë nevojë për ndihmë njësoj sikurse në sferat tjera të shoqërisë tonë. Ndoshta në futboll ka më shumë probleme mendore për shkak se sportistët janë nën presion të madh”, u shpreh ai.

Pasi opinioni të mësojë për problemet mendore të tyre, karriera profesionale e shumicës së sportistëve është praktikisht e përfunduar. I ngjashëm është edhe rasti i Jam Simakut. Futbollisti çek konsiderohej si shpresë e madhe, luante për Bayer Leverkusenin dhe Hannoverin. Më pas iu paraqitën problemet.

Simak pas rikuperimit u mundua të kthehet në elitën e futbollit gjerman, por kot. Futbollistët dhe trajnerët filluan ta shikojnë më ndryshe. Ai sot ende luan, por në ligën e tretë te Jena.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›