E Shtunë, 31 Tetor 2026

Xherdan Shaqiri ‘Mister X’ i Milanit?

Nga Express më 14 shtator 2011 në ora 12:01

Gjatë gjithë verës, historia e futbollistit misterioz i ka pasionuar shumë tifozët e Milanit, edhe pse në fund zëvendëspresidenti i kampionit aktual të Italisë, Adriano Galliani ka zbuluar se ‘Mister X’ ishte përforcimi i fundit i Rossonerëve, Alberto Aquilani.

Portali i njohur sportiv italian, i afërt me Milanin, Milannews.it tashmë ka nisur të raportojë rreth një ‘Mister X’ të ri, i cili pritet ta përforcojë kampionin e shtatëfishtë evropian gjatë afatit kalimtar të dimrit.

Sipas kësaj ueb faqeje, ‘Mister X’ i dimrit është zgjedhur nga ana e Milanit! Ai është Xherdan Shaqiri, 19-vjeçari nga Kosova, i cili ka kontratë me Baselin dhe i cili luan për Përfaqësuesen e Zvicrës. Një mesfushor ofanziv, i aftë të lëvizë shumë, me një teknikë të pafundme dhe mjaft i shpejtë.

Talenti i tij ka mahnitur edhe disa skuadra italiane, posaçërisht Napolin e Romën. Kjo e fundit gjatë verës kishte mundësi ta transferojë në kryeqytetin italian, por procesi kishte dështuar ngase romakët nuk ishin në gjendje t’i paguanin 13 milionë euro dëmshpërblim Baselit.

Mirëpo, sipas Milannews, Adriano Galliani është njëri prej menaxherëve më të suksesshëm italianë dhe ai e di mirë se shumë klube të njohura evropiane po e ndjekin kosovarin, kështu që zëvendëspresidenti i Milanit është i gatshëm ta mbyllë këtë çështje për ta mposhtur konkurrencën duke e transferuar Shaqirin nga Baseli në San Siro.

Duhet theksuar se Milani e ka nisur një politikë të re që ka të bëjë me ripërtëritjen e ekipit, duke i sjellë në San Siro lojtarë të rinj, dhe kësaj politike i përshtatet edhe Xherdan Shaqiri.

Xherdani bën atmosferë në Basel

Tashmë dihet se Xherdan Shaqiri jep ndoshta më së shumti kontribut në mënyrë që skuadra e tij, Basel të arrijë suksese. Po ashtu, mesfushori i lindur në Gjilan jep kontribut të madh në mënyrë që atmosfera e mirë të mbizotërojë në skuadrën e tij.

Me humorin e Shaqirit, kënaqen të gjithë bashkëlojtarët dhe anëtarët e tjerë të shtabit teknik të Baselit. “Më bën të qesh Xherdan Shaqiri. Ai është një djalosh mjaftë qesharak”, ka pohuar trajneri i kampionit aktual të Zvicrës, Thorsten Fink.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›