Zeqiri i artë në Bosnjë e Hercegovinë

Boksieri kosovar, Liridon Zeqiri ka fituar medalje të artë në turneun ndërkombëtar ‘Hakija Turajliq-Talijan’, i cili është mbajtur në Sarajevë nga 8 deri më 12 shtator.
Zeqiri në gjysmëfinale të këtij turneu me ndërprerje mposhti boksierin boshnjak David Cufaj. Ndërsa në finale boksieri kosovar mundi bindshëm (6:3) boksierin nga Bosnja Aleksic Mario dhe u stolis me medalje të artë. Në këtë turne, Kosovën e ka përfaqësuar edhe Egzon Muqolli, i cili u mposht në gjysmëfinale nga boshnjaku Dzemajl Boshnjak.
Edhe pse boksieri më i mirë i turneut ishte Liridon Zeqiri, juria kosovarin e shpalli boksierin më luftarak. Përveç boksierëve kosovarë, në këtë turne pjesëmarrës ishte edhe gjyqtari ndërkombëtar, Latif Devolli, i cili ndau drejtësinë me sukses.
Në këtë turne, pjesëmarrës ishin tetë shtete; Bosnja e Hercegovina, Italia, Kroacia, Serbia, Shqipëria, Maqedonia, Kosova e Sllovenia. Për drejtuesit e Federatës së Boksit të Kosovës (FboxK), ky është suksesi i radhës i boksit kosovar në arenën ndërkombëtare.