E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kontrollet e policisë normalizojnë qarkullimin në rrugët e Korçës

Një aksion i policisë
rrugore në Korçë i ka
ndëshkuar të gjitha
mjetet me xhama të errët
dhe perde. Policia rrugore e Korçës
ka bërë të ditur se ka ushtruar
kontrolle në 700 mjete, ndërsa aksioni
është përqendruar kryesisht
në qytet dhe në nyjat hyrëse të tij.
Nga të dhënat e policisë rrugore
konfirmohet se janë ndëshkuar një
pjesë e madhe e drejtuesve të
mjeteve, për shkak se refuzojnë të
heqin xhamat e errët dhe perdet
nga mjetet e tyre. Burimet e kësaj
policie kanë thënë se janë gjobitur
70 persona. Aksioni, sipas të
dhënave të policisë rrugore, ka
vazhduar për dhjetë ditë me radhë
dhe ka pasur në vëmendje edhe
dokumentacionin, por edhe shkeljen
e rregullave të qarkullimit,
ndërkohë që, sipas të dhënave
statistikore që disponon policia
rrugore, në muajin shkurt gjobat
kanë qenë të shumta. Kështu, sipas
shefit të qarkullimit Leonard
Dinkollari, vetëm për këtë muaj
janë vendosur 2120 gjoba ndaj
drejtuesve të mjeteve, kryesisht
për shkak të shkeljes së rregullave
të qarkullimit. Leonard Dinkollari
thotë se krahas aksionit të ndërmarrë
për heqjen e xhamave të errët
dhe perdeve janë konstatuar shkelje
të shumta, kryesisht në linja në
rrugët nacionale janë konstatuar
shkelje të shpejtësisë dhe mospërdorimi
i rripit të sigurimit. Ai thotë
se gjatë muajit shkurt, për shkak të
një pune intensive në të gjitha akset,
por edhe në qytet, ka pasur një
rënie të numrit të aksidenteve, ku
nuk është shënuar asnjë rast me
pasoja për jetën. Dinkollari deklaron
se ka pasur edhe kundërshtime
ndaj forcave policore gjatë
kontrollit ndaj mjeteve, por pas gjobitjes
dhe masave të marra duket
se ka pasur një ndërgjegjësim dhe
numri i mjeteve që kanë hequr tashmë
xhamat e errët është i lartë në
raport me mjetet që kanë në
qarkullim në Korçë. Ky aksion, sipas
tij, ka pasur për qëllim që në bashkëpunim
me policinë e rendit të
mbahet nën kontroll situata, duke
mos lejuar që persona të dyshimtë
të lëvizin me mjete. Nga ana tjetër,
sipas Dinkollarit, aksidentet që janë
shënuar në Korçë kanë qenë kryesisht
me dëme materiale. Ai thotë se
në Korçë gjatë muajit shkurt ka pasur
11 aksidente pa pasoja dhe plagosje
të rënda, por vetëm me dëme
materiale të mjeteve. Pjesa më e
madhe e aksidenteve janë regjistruar
në pikat hyrëse të qytetit dhe në
afërsi të kryqëzimeve, të gjitha të
ndodhura gjatë orëve të para të
mëngjesit, ose gjatë natës, për shkak
të shpejtësisë tej normave të
lejuara. "Pas disa aksioneve të vazhdueshme
që janë ndërmarrë nga
ana e policisë rrugore, prezenca jonë
në rrugë dhe intensifikimi i kontrolleve
kanë bërë që situata të
përmirësohet ndjeshëm, duke
reduktuar numrin e aksidenteve që
më parë kanë qenë të shumta dhe
me pasoja. Ndryshe nga muaji janar,
kur edhe për shkak të motit dhe
ngricave kishte një numër më të
madh të aksidenteve me pasoja fatale
për jetën e njerëzve, gjatë muajit
shkurt nuk është regjistruar asnjë
aksident i rëndë. Masat e forta dhe
kontrollet e rrepta kanë bërë që të
vendosen 2120 gjoba për shkelësit
e rregullave të qarkullimit rrugor",
thotë Dinkollari.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›