E Shtunë, 31 Tetor 2026

"Deputetë mjaft shpenzuat", studimi i MJAFT për 4 vitet e parlamentit

Kuvendi shqiptar rezulton institucioni me shpenzimet më të larta operative krahasuar me rajonin, por edhe më gjerë. Lëvizja "Mjaft" në Raportin e publikuar "Unë votoj" mbështetur mbi veprimtarinë e Kuvendit, evidenton se shpenzimet operative për naftë, makina dhe telefona, janë rritur me 30.3%, që në vlerë monetare konvertohen me rreth 113 milion lekë të reja. Sipas këtij raporti rezulton se në 4 vjet veprimtari, kuvendi shqiptar i ka kushtuar në punën e tij vetëm 13.6% hartimit të nismave ligjore. Ndërsa duket se është orientuar më tepër në ratifikim marrëveshjes, të cilat përllogariten në raport me veprimtaritë e tjera 53.3%.Raporti "Unë Votoj" nxjerr si deputetin më aktiv në kuvend Erion Braçen. E si gjithmonë deputeti me numrin më të madh të mungesave rezulton Fatos Nano. Në këtë raport nënvizohet se aktiviteti i deputetëve në katër vjet ka pasur një hendek të madh mes premtimeve elektorale dhe punës përfundimtare. Nismat parlamentare të Partisë Demokratike të përqasura me platformën e vet elektorale janë 106, ndërkohë që numri i përgjithshëm i nismave ka qenë 529. Ndërsa Partia Republikane ka përqasur me platformën e vet 170 nga 529 nismat ligjore. Kjo parti nuk ka realizuar elementin bazë të premtimeve të saj elektorale, zgjidhjen e çështjes së pronave.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›