E Shtunë, 31 Tetor 2026

Moisiu: Të papërshtatshëm 21 kandidatë

22/06/2009  Verifikimi i listave të deputetëve

“Koalicioni për Parlament të Pastër”, i kryesuar nga ish-presidenti Moisiu, ka publikuar dje listën e personave që pas një investigimi të kryer për 165 emra të propozuar nga të gjitha partitë për garën e 28 qershorit, 15 % e tyre rezultojnë të papërshtatshëm për të qenë përfaqësues të qytetarëve në legjislaturën e ardhshme. Për të vlerësuar kandidatët është marrë parasysh arsimimi, kontributi politik, kontributi publik, pastërtia ndaj precedentëve penale, apo edhe përfolja për çështje kontroversiale, nga ku 21 kandidatë kanë rezultuar jo të përshtatshëm. Ndër ta 3 ndodhen në listat e PS-së, 5 në listat e PR-së, 2 në listat e LSI-së, 3 në listat e PD-së, 3 në listat e PDK-së dhe nga 1 në listat e “G-99”, LDK-së, PDS-së, LZHK-së dhe PSV ’91. Kryetari i saj, ish-presidenti Mosiu, këshillon partitë politike që kanë në gjirin e tyre kandidatë kontroversialë që të rishikojnë në mënyrë konstruktive pjesëmarrjen e tyre në listat e kandidatëve, ose qoftë edhe në renditjen e tyre brenda këtyre listave, për të kufizuar pjesëmarrjen e tyre në kuvendin e ardhshëm të Shqipërisë. Faza finale e këtij koalicioni u arrit pas një pune kërkimore, që zgjati rreth dy muaj. Qëllimi i nismës ishte krijimi i një presioni pozitiv brenda partive politike, në mënyrë që ato të rritin cilësitë e kërkesave kualifikuese me anë të të cilave ato përzgjedhin kandidatët e tyre për deputetë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›