E Diel, 1 Nëntor 2026

Zgjedhjet, agjencia "Reuters" analizon situatën në Shqipëri

Shqipëria shpreson të zhvillojë zgjedhje të lira dhe të drejta më 28 qershor, një kriter që është një parakusht për integrimin e këtij vendi post-komunist në Bashkimin Europian, në një kohë që zgjedhjet e fundit në Shqipëri, nuk arritën t'i përmbushnin standardet ndërkombëtare. Kështu shkruan agjensia prestigjioze e lajmeve "Reuters" në materialin më të fundit dedikuar zgjedhjeve në Shqipëri. Reuters vijon të thotë se partia kryesore opozitare, Partia Socialiste, nuk beson se qeveria do të jetë në gjendje të mbajë premtimin e saj, por ndryshe mendon Partia Demokratike , e cila pretendon se do të mbajë zgjedhje të drejta dhe të ndershme. Kryeministri aktual dhe njëherazi kreu i PD-së, Sali Berisha, në njërën prej intervistave të tij më të fundit ka thënë se qeveria e tij do të bëjë gjithçka mundet për të siguruar që zgjedhjet të janë paqësore dhe të ligjshme në këtë vend me 3,3 milionë banorë.
"Në këndvështrimin tim, këto zgjedhje do të jenë plotësisht sipas standardeve ndërkombëtare dhe plotësisht zgjedhje të lira dhe të drejta, pasi kjo është në duart e qeverisë sime dhe qeveria do të bëjë më të mirën e mundshme", ka thënë Berisha. "Vendi ish- komunist ka shënuar rritje të ndjeshme ekonomike gjatë viteve të fundit", vijon "Reuters", "duke rënë nën nivelin 5 % të rritjes vetëm një herë në dekadën e fundit". "Megjithatë", vijon "Reuters", "eksportet po bien disi së fundmi dhe shqiptarët që jetojnë jashtë vendit, po dërgojnë më pak të holla në Shqipëri, si pasojë e krizës finaciare që ka prekur botën. Të gjitha këto çështje po ndikojnë në aspektin ekonomik në këtë vend përgjatë Adriatikut. Në intervistën e tij, Berisha thotë se ekonomia e Shqipërisë është ende në rritje në më shumë se katër përqind. Por "Reuters" duke cituar ekonomistë dhe të tjerë qytetarë të thjeshtë shqiptarë, thotë se ata janë të mendimit se rritja ekonomike në vendin ish-stalinist, është stopuar. Qeveria ka lëvruar një fond të konsiderueshëm
për të ndihmuar ndërtimin e rrugëve, duke rritur investimet në sektorin publik, ndërsa të tjerë janë të mendimit se duhet të kërkojmë ndihmë nga Fondi Monetar Ndërkombetar, ashtu siç bëri Serbia dhe Bosnja gjatë muajve të fundit. Edhe në këtë drejtim, Partia Socialiste dhe ajo demokratike janë të ndara përsa i përket ndihmës në para nga FMN për të ndihmuar Shqipërinë. Ndërkaq kreu i Partisë Socialiste dhe kryetari i bashkisë së Tiranës, Edi Rama, edhe një herë ka theksuar se nuk beson se qeveria do të organizojnë zgjedhje të drejta
"Nëse i referohemi raporteve te OSBE / ODIHR, ka patur zgjedhje te lira dhe të drejta në Shqipëri, por nëse i refereohemi standardeve të Bashkimit Evropian, Shqipëria nuk ka patur kurrë zgjedhje të tilla e që mund të konsiderohen normale. Shpresa është që të kemi të tilla zgjedhje, por gjasat nuk duken te tilla - tha Rama. PS ka kritikuar edhe qëndrimin e qeverisë në raport me FMN. Kryebashiaku Rama tha se qeveria e re duhet te fillonte menjëherë bisedimet me FMN-në, pas përfundimit të zgjedhjeve.
"Ne jemi totalisht kundër vendimit të qeverisë për t'u tërhequr nga program i asistencës së FMN-së, pasi ne kemi absolutisht nevojë për ndihmën dhe prezencën e FMN-së," tha Rama.
Ndërkaq një qytetar i Tiranës tregon se do të votojë për atë që ka votuar gjithmonë, për Partinë Socialiste. Reuters tregon në vijim edhe për sondazhin e publikuar nga Zogby më 18 qershor, sipas së cilit 40 për qind e shqiptarëve do të votonin për PD-në dhe 38 për qind për PS-në. Po sipas Zogbyt rreth 57 për qind e shqiptarëve mendonin se Shqipëria ishte në rrugën e drejtë, 32 për qind thanë se ishte në udhë të gabuar.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›