E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Partitë politike të kontribuojnë për zgjedhjet”

22/06/2009  Kryetari Ristani dhe nënkryetarja Subashi dyshime për standardet e 28 qershorit

Drejtuesit e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve u bëjnë apel partive politike që të kontribuojnë në procesin e menaxhimit të procesit zgjedhor, standardet e të cilit për kryetarin Arben Ristani dhe nënkryetaren Dëshira Subashi janë të rrezikuara. Ata e drejtojnë gishtin e përgjegjësisë drejt krerëve të qeverisjes vendore, të cilët, pasi kanë shkelur çdo afat ligjor dhe Kodin për Zgjedhjet, kanë ndryshuar, në kundërshtim me vendimin e KQZ-së, ambientet private që do të shërbejnë si qendra votimit. Për këtë të gjithë ata vendorë që kanë shkelur ligjin, pas zgjedhjeve do të paditen nga KQZ-ja. “Kryetarët e qeverisjes vendore kanë vepruar në kundërshtim me ligjin për zgjedhjet dhe kanë bërë ndarje dhe bashkim qendrash votimi jashtë afateve që parashikon ligji. Kjo sjell probleme jo vetëm për KQZ-në, që ka përgjegjësinë e përgatitjes logjistike për procesin, por do të konfondojnë edhe zgjedhësit, të cilët ditën e votimit nuk do të dinë ku të votojnë”, - tha Ristani. Alarmuese për këtë çështje deklarohet edhe nënkryetarja e KQZ-së, e cila e sheh të rrezikuar seriozisht datën e zgjedhjeve të 28 qershorit. Lëvizjet e antiligjore nga vendorët e qendrave të votimit vetëm 1 javë nga zgjedhjet, kanë vënë në pikëpyetje sigurinë e procesit. “KQZ-ja me një informacion, që mund ta vlerësoj skandaloz, nga njësitë e qeverisjes vendore është detyruar të bëje një vendimmarrje që për nga natyra e të funksionarit nuk ka pasur elementet minimale të sigurisë. Uroj që politika vetë ta menaxhoje këtë situatë, sepse, në fund të fundit, janë përfaqësues politikë ata që janë kryetarë bashkish e komunash. Deri ditën që do të përfundojnë zgjedhjet dhe të jenë hapur qendrat e votimit që ne miratuam me shpejtësi, sinqerisht e mbaj shqetësimin lidhur me këtë problem”, - tha Subashi. Nga rreth 4800 qendra votimi 506 do të jenë private. Për këtë çështje Subashi hedh dyshime për sa i takon rezultatit zgjedhor. “Çfarë do të pasqyrojë në ditën e zgjedhjeve vendimmarrja e KQZ-së për të pasur 506 ambiente private? Druaj të paragjykoj, po shqetësimin për këtë problem e kam të ligjshëm”, - vijoi ajo. Një ndikim të drejtpërdrejt në rezultat, sipas saj, pritet të kenë dhe kartat e identitetit. Subashi thotë se deri tani Ministria e Brendshme nuk ka informuar KQZ-në se sa shtetas disponojnë dokument votimi. Kryetarët e komunave dhe të bashkive duhej të dorëzonin që para dy muajsh, para publikimit të listës përfundimtare të zgjedhësve, listën e objekteve të votimit.

Ngritja e KQV-ve

Një problem tjetër shumë serioz për zgjedhjet, i shkaktuar nga partitë politike, është mosdërgimi brenda afateve ligjore në komisionet e zonave të administrimit të zgjedhjeve emrat për komisionarë, me qëllim konstitumin e komisioneve të qendrave të votimit. Kodi Zgjedhor parashikon ngritjen e tyre 20 ditë para mbajtjes së zgjedhjeve.

Shkrihen 61 qendra votimi

KQZ-ja vendosi prodhimin e sasisë së fletëve të votimit për 75 qendra votimi, pasi janë mbyllur 70 të tilla me numër të vogël zgjedhësish, duke u bashkuar me qendra votimi të tjera, është mbyllur një qendër votimi e posaçme pa u bashkuar me qendra të tjera, janë shtuar 2 qendra votimi të posaçme dhe nga ndarja e qendrave të votimit me numër të madh zgjedhësish, mbi 1000, janë krijuar 8 qendra votimi.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›