Deputetët, 24 orë kohë, sot miratohet kodi
TIRANË- Konferenca e Kryetarëve të grupeve parlamentare, ka shtyrë për sot mbajtjen e seancës plenare, ku do të diskutohet dhe miratohet projektligji “Për Kodin Zgjedhor”. Në një mbledhje që ka zgjatur për afro dy orë, Konferenca e Kryetarëve ka debatuar gjatë përpara se të marrë me unanimitet vendimin për ta futur projekt-kodin për miratim në seancën e sotme përmes procedurave të përshpejtuara, por pa përcaktuar saktë orën e mbajtjes së saj.
Mbledhja
Përkeqësimi i situatës shëndetësore të dhjetë deputetëve grevistë dhe nevoja nga afrimi zgjedhjeve të ardhshme parlamentare për të pasur sa më parë një kod të ri zgjedhor, mbi të cilin do të realizohet dhe procesi i ardhshëm elektoral, ka detyruar kryetaren e Kuvendit që të thërrasë në një mbledhje të paparashikuar Konferencën e Kryetarëve të grupeve parlamentare, për të diskutuar dhe vendosur pikërisht përfshirjen e draft-kodit të ri në rendin e ditës së seancës së sotme plenare. Në mbledhje, përveç krerëve të grupeve, kanë marrë pjesë edhe dy përfaqësuesit e grevistëve, deputeti i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Dritan Prifti, dhe deputeti tjetër i Partisë Demokristiane, Jak Ndokaj. Prania dhe qëndrimet e tyre duket se janë bërë shkak për një mbledhje, ku nuk kanë munguar debatet e forta. Burime nga mbledhja bëjnë të ditur se ka qenë pikërisht kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, ajo që ka kërkuar shtyrjen e mbajtjes së seancës për diskutimin e këtij drafti, për t’u dhënë kështu mundësi deputetëve që të njohin më mirë përmbajtjen e tij. Gjithashtu, një vendim i tillë, duket se ka lindur edhe nga nevoja për të zbatuar rregulloren e Kuvendit, dhe për t’u dhënë të gjithë deputetëve të paktën 24 orë kohë që të njohin përmbajtjen e këtij projektligji. Për këtë qëllim, dje paradite, administrata e Kuvendit ka bërë shpërndarjen e draftit edhe për ata deputetë që ende nuk e kishin atë.
Debatet
Por as vendimi për të shtyrë diskutimin e kodit me 24 orë, nuk ka kënaqur përfaqësuesit e deputetëve grevistë që ishin të pranishëm në mbledhje. Kështu, deputeti i LSI-së, Dritan Prifti, ka kërkuar nga konferenca që të heqë dorë nga vendimi për të miratuar kodin në seancën e sotme, duke propozuar që të ngrihet një grup pune për të negociuar me grevistët, për të gjetur një zgjidhje që do të kënaqte të dyja palët në këtë debat, kërkesë e cila duket se është refuzuar nga pothuajse të gjithë anëtarët e kësaj strukture të lartë vendimmarrëse kuvendore. Ndërkohë që deputeti demokristian, Jak Ndokaj, ka kundërshtuar përfshirjen ne seancën e sotme të projekt-kodit, duke vlerësuar se një hap i tillë bie në kundërshtim me rregulloren e Kuvendit, e cila, sipas tij përcakton se një projektligj nuk mund të futet për miratim në seancë pa kaluar të paktën dy javë nga data e depozitimit të tij në Kuvend. Por, as ky argumentim nuk ka bindur Konferencën e Kryetarëve, të cilët kanë theksuar se kalimi i tij për miratim bëhet përmes një procedure të njohur edhe në rregullore, siç është ajo me afate të përshpejtuara.