E Shtunë, 31 Tetor 2026

Paraburgimi, te merren masa për mbipopullimin

Tiranë- Masa urgjente për uljen e mbipopullimit në dhomat e paraburgimit në Shën Koll, “Jordan Misja” në Tiranë dhe Fushë Krujë, krijimin e kushteve të përshtatshme, shtim të personelit dhe kujdes për personat që kanë probleme mendore. Këto janë sugjerimet që Komitetit Shqiptar i Helsinkit i jep drejtorive përkatëse, pas monitorimit të kushteve në këto institucione.

Pak ditë më parë punonjës të KSHH zhvilluan një vëzhgim mbi infrastrukturën e burgut të Shën Kollit, të Fushë Krujës dhe “Jordan Misja” në Tiranë, duke parë nga afër kushtet e jetësës së të paraburgosurve, kujdesin social dhe edukativ, shërbimin shëndetësor etj.

Mbipopullimi ka qenë pika kryesore ku janë ndaluar specialistët, nisur nga situata që ata e konsiderojnë shqetësuese. “Gjatë momentit të vëzhgimit në Shën Koll, u vërejt mbipopullim në rregjimin e paraburgimit, 50 persona mbi kapacitetin normal të rregjimit. Kjo u vërejt dhe në disa dhoma në të cilat ndodheshin persona mbi kapacitetin normal”- thuhet në raportin e KSHH.

Jo më e mirë është situata në Institucionin e paraburgimit Jordan Misja. “Seksioni i grave në krahasim me kapacitetin ishte i njëjtë por mbyllja e një nga dhomave për shkak te lagështirës krijonte mbipopullim. Në dhomat e paraburgimit qëndronin 6 – 8 femra në dhoma, kur kapaciteti ishte 4 – 6, duke bërë kështu fjeten e dy femrave në një krevat”- thotë KSHH.

Ndërkohë, sipas të njëjtit raport, theksohet se në IEVP Fushë Krujë, gjatë momentin të vëzhgimit ishin 39 persona mbi kapacitetin normal. “Disa dhoma në rregjimin e sigurisë së zakonshme ishin të mbipopulluara, ku nga 4 persona kapaciteti normal, ndodheshin 4 – 7 persona”- thuhet në raport.

Specialistët, krahas masave për shmangien e mbipopullimit, kanë rekomanduar edhe rritjen e numrit të personelit mjekësor për të siguruar një shërbim shëndetësor efikas në këtë institucion, punësimin e një psikiatri me kohë të plotë, bashkëpunimin me shtëpi botuese dhe OJF-të, pasurimin e bibliotekës së institucionit me tituj librash të rinj, etj.

KSHH shpreh besimin se nga ana e institucionit do të merren masat e nevojshme për përmirësimin e situatës të të drejtave të personave të dënuar dhe të paraburgosur.

Vetëm pak ditë më parë ka pasur një grevë urie të të burgosurve në Shën Koll të Lezhës, që ankohen përpos kushteve edhe për mosmarrjen në konsideratë të kërkesave dhe procedurave për uljen e dënimit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›