E Shtunë, 31 Tetor 2026

Greva, Uidhers takon Ramën e Berishën

Mesazhi i Widhers-it: “Lexoni librin e Obamës dhe mund t’ia dilni”

TIRANË- Projekt-kodi i ri zgjedhor dhe debati që ka shkaktuar ai midis klasës politike shqiptare, ka krijuar një interes të veçantë edhe tek trupi diplomatik i akredituar në Tiranë. Pas mesazheve të ardhura nga Brukseli, janë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ato që kanë shfaqur interes të veçantë në lidhje me debatin që po zhvillohet në vendin tonë për këtë çështje, si rrjedhojë e të cilit 10 deputetë janë ngujuar prej një jave në grevë urie në ambientet e Kuvendit të Shqipërisë. Përfaqësuesi më i lartë i SHBA-së në Tiranë, Xhon Withers, vetëm një ditë para seancës plenare, ku dhe është parashikuar diskutimi dhe miratimi i draft-kodit të ri elektoral, ka zhvilluar takime të veçanta me dy liderët e politikës shqiptare, kryeministrin, Sali Berisha, dhe kryetarin e opozitës, Edi Rama. Të dyja këto takime janë zhvilluar larg syve të medias dhe për objektin e diskutimit në to nuk jepen detaje. Mbrëmë vonë, në sitin zyrtar të kryeministrisë thuhej se kryeministri Berisha zhvilloi një takim me ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, z. John Withers. Gjatë këtij takimi, ambasadori amerikan e njohu kryeministrin Berisha me situatën e re postzgjedhore në SHBA dhe me prioritetet e pritshme të administratës së re të Presidentit Obama. Ndër të tjera, në njoftim thuhej se, kryeministri Berisha e pret me kënaqësi të bashkëpunojë ngushtë me Presidentin Barak Obama dhe me administratën e re të SHBA-ve. Ndërkohë që, jashtë kësaj axhende të bërë publike, nuk përjashtohet mundësia që gjatë takimit të jetë diskutuar edhe për situatën më të fundit politike të shkaktuar si rrjedhojë e përpjekjeve të disa forcave të vogla politike për të kundërshtuar miratimin e këtij projekt-kodi, sipas përmbajtjes së miratuar edhe nga Komisioni i posaçëm i Reformës Zgjedhore. Kështu, takimi kokë më kokë i ambasadorit Withers, me kreun e opozitës, Edi Rama, ka ardhur fill pasi të dy protagonistët morën pjesë në promovimin e librit të presidentit të ardhshëm të SHBA-së, Barak Obama “Guximi për të Shpresuar”. Takimi është vlerësuar si konfidencial dhe për të nuk jepet asnjë detaj nga institucionet përkatëse, megjithëse nuk është e vështirë të kuptohet se ka qenë pikërisht acarimi i situatës politike në vend objekt i bisedës. Ndërkohë që, si kreu socialist, Edi Rama, ashtu edhe ambasadori Withers, nuk kanë pranuar më parë të bëjnë asnjë koment në lidhje me këtë çështje, pavarësisht interesit të madh të medias. Withers është mjaftuar me një fjalë të shkurtër që ka mbajtur me rastin e promovimit të librit të presidentit Obama, ku natyrisht, duke iu referuar pikërisht këtij libri, në mënyrë diplomatike ka përcjellë dhe një mesazh për klasën politike shqiptare. “Një ndër gjërat që dëgjoj më shpesh që kur kam ardhur në Shqipëri është se më thonë që “ti, zoti ambasador, mund të thuash ato që gjëra që thua, apo të besosh ato gjëra që beson, sepse je amerikan dhe vjen nga SHBA-ja. Por këto gjëra nuk mund të ndodhin këtu në Shqipëri. Nuk mundemi, nuk jemi të përgatitur për atë nivel të parimeve demokratike që ekzistojnë në vendet e tjera”. Prandaj, ajo që unë ju them juve sot është: Lexojeni këtë libër dhe mund të kuptoni se, po, mund t’ia dilni”, - tha Withers, duke theksuar se fryma e tolerancës dhe shtrirja e dorës së miqësisë për këdo, mund të jenë zgjidhja e çdo mosmarrëveshjeje.  ----------------------------------------------------------------------Dita e 7, rëndohet gjendja shëndetësore e deputetëve

TIRANË- Në fund të ditës së shtatë të grevës së urisë, gjendja shëndetësore e deputetëve vazhdon të bëhet edhe më kritike. Deri mbrëmë vonë, gjendja e deputetit Ymer Tola, ka qenë jo pak e rënduar. Aika kaluar një situatë delikate shëndetësore dhe është shoqëruar 2 herë në spital, duke u kthyer sërish në sallën e Kuvendit. Deputeti i PDK-së, Frrok Gjini, ka vendosur që të pijë ujë vetëm pas këmbënguljes së deputetëve të tjerë grevistë. Edhe deputetët e tjerë kanë filluar të shfaqin probleme shëndetësore, duke rënduar kështu situatën brenda sallës së Kuvendit. Ndërsa jashtë dyerve të Kuvendit, dje pasdite u zhvillua edhe protesta e paralajmëruar nga tri partitë që janë në grevë, LSI, PDK dhe PS’91. Gjatë protestës janë mbajtur sërish fjalime në mbështetje të grevës së deputetëve që gjenden brenda sallës së Kuvendit. Dje, në mbështetje të tyre dolën edhe disa nga firmëtarët e letrës publike drejtuar personaliteteve të larta të shtetit, dy ditë më parë. Po sot, pritet që të ketë sërish tubime para ambienteve të Kuvendit, ndërsa ato priten të jenë më të forta kur të diskutohet për kodin zgjedhor.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›