E Shtunë, 31 Tetor 2026

Raporti i Rusmalit e Xhafës: Për draftin u negocioua

Dy bashkëkryetarët hartojnë raport për përgatitjen e kodit të ri zgjedhor

TIRANË- Në kulmin e debatit për reformën zgjedhore, bashkëkryetarët e komisionit të posaçëm parlamentar që punuan për hartimin e draft-kodit të ri zgjedhor, Fatmir Xhafaj dhe Ilir Rusmali, kanë shpërndarë dje për mediat raportin shoqërues të këtij dokumenti, ku tregojnë dhe rrugën që është ndjekur për miratimin e tij në këtë komision. Sipas këtij materiali sqarues, hartimi i projekt-kodit të ri është bërë nëpërmjet një procesi të gjerë konsultimesh dhe debatesh me të gjithë faktorët e mundshëm, jo vetëm politikë, por edhe me përfaqësues të shoqërisë civile. “Gjatë periudhës korrik – nëntor 2008, Komisioni i Posaçëm Parlamentar për Kodin Zgjedhor, ka qenë aktiv në punën e tij, duke zhvilluar 14 mbledhje, ku, përveç miratimit të formulimeve konkrete të neneve të projektligjit, janë bërë edhe seanca dëgjimore me grupet e interesit, të cilat kishin kërkuar paraprakisht që të dëgjoheshin në lidhje me problemet dhe sugjerimet e tyre për kodin e ri”,- theksohet në këtë raport. Gjithashtu, nëpërmjet këtij materiali të firmosur nga dy bashkëkryetarët, bëhet e ditur se puna për përgatitjen e kodit të ri zgjedhor nga ana e komisionit ka qenë e ndarë në tri faza: a) negocimi dhe përgatitja e draft-neneve nga grupi i ekspertëve, b) prezantimi dhe diskutimi i neneve në komision, i cili i miratoi ato, apo në raste të veçanta rekomandoi sugjerime për t’u përfshirë në variantin përfundimtar të projektligjit nga ekspertët, c) miratimi nga komisioni i tekstit integral të projektligjit. Ngritja e Komisionit të Posaçëm Parlamentar u miratua nga Kuvendi me konsensusin e gjerë të të gjitha forcave politike për një periudhë njëmujore. Afati i veprimtarisë së komisionit u shty nga Kuvendi 3 herë, për shkak të kompleksitetit të fushës që mbulon projektligji, ku mjaft kohë, grupi i ekspertëve i kushtoi studimit të legjislacionit të vendeve që zbatojnë sisteme të ngjashme zgjedhore dhe shqyrtimit të të gjitha rekomandimeve ndërkombëtare në fushën e zgjedhjeve.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›