Deputetët ankohen për faturat e dritave dhe sulmojnë CEZ-in
Lumë kritikash ndaj OSSH-së nga ana e deputetëve të mazhorancës, sa i takon shërbimit dhe faturimit të energjisë elektrike. Gjatë raportimit në Kuvend mbi aktivitetin e ERE-s në 2009, kryetari i Entit Rregullator, Bujar Nepravishta, tha se privatizimi i OSSH-së nga kompania çeke më 1 qershor 2009, nuk solli rezultate të kënaqshme. “Më duhet të them me keqardhje se rezultatet e OSSH pas privatizimit janë përkeqësuar. Afro 50 për qind e energjisë që hidhet në rrjet, paguhet, duke e rënduar akoma e më tej situatën”, tha Nepravishta. Debatin mbi faturimin e dritave e ngriti në fillim ERE, e cila duke raportuar në Kuvend tha se ka pasur shumë ankesa nga konsumatorët dhe se i është kërkuar OSSH të shlyejë dëmin. Kaq ka mjaftuar që në drejtim të pronarit të ri të lëshohen akuza të forta nga ana e deputetëve, të cilët u ankuan për shërbim të dobët, mungesë transparence. Anëtarët e komisionit të veprimtarisë prodhuese dhanë shembuj personalë të faturave të dritave, të cilat ishin të larta dhe nuk paraqisnin realitetin e konsumit. Një deputet u ankua për leximin e sahatit, që nuk bëhet në mënyrë transparente, kurse një tjetër për shërbimin e dobët. Njëzëri ata shprehën vlerësimin negativ për kompaninë, e cila nuk po i përmbush si duhet detyrimet që rrjedhin nga privatizimi. “Në zonën që mbuloj janë 6 komuna pa drita dhe OSSH nuk tregon interes për të investuar, pasi nuk ka leverdi”, tha deputeti Bedri Hoxha. Shqetësime kishte dhe për kolaudimin e matësve, si dhe leximin e tyre. Të gjitha pyetjet në formë ankese u lanë që të merrnin përgjigje të mërkurën e javës së ardhshme.
Gjatë raportimit në komision, i cili zgjati më shumë se 1 orë, Nepravishta vuri në dukje problemet e sektorit, sa i takon prodhimit, importit dhe eksportit. Duke folur për TEC-in e Vlorës, Nepravishta tha se mungesa e gazsjellëseve e bën të vështirë funksionimin e termocentralit, pasi prodhimi vetëm me naftë nxjerr kosto të lartë të kilovatit.
Tjetër problem ishte mungesa e matësve të energjisë elektrike, e cila vijon të jetë e konsiderueshme për rreth 80 mijë konsumatorë. Nepravishta garantoi se i kishte vendosur OSSH-së një afat për ta përfunduar të gjithë procesin brenda 6-mujorit të parë 2010.
#