Deputetët, asnjë mungesë në Kuvend
Kuvendi i ri u mblodh dje për të katërtën herë, por ndryshe nga të gjitha legjislaturat e mëparshme, është vënë re se askush nuk bën mungesa në seancën plenare. Ky disiplinim i lartë i deputetëve vjen për shkakun e numrave të kufizuar që ka mazhoranca e djathtë, vetëm 74 deputetë dhe kjo ndikohet nga mungesa e opozitës në Kuvend. Dje në seancë morën pjesë 73 deputetë, ku mungonin vetëm Kryeministri Sali Berisha dhe zëvendëskryeministri dhe ministri i Jashtëm, Ilir Meta, për shkak të vizitës së tyre në OKB. Asnjë deputet tjetër nuk ka munguar, kjo për shkak se dje u bë edhe një ndryshim në buxhet, çka kërkonte domosdoshmërisht 71 deputetë në sallë. Ndryshimet u votuan me 72 vota pro dhe vetëm 1 kundër, atë të Vangjel Dules, deputeti i vetëm i opozitës në sallë. Në legjislaturat e mëparshme ishte bërë shqetësim mungesa e deputetëve në punët kuvendore, ku vihej re se një numër i lartë bënte mungesa të vazhdueshme në Kuvend si dhe nuk angazhoheshin në komisionet e përhershme parlamentare. Mazhoranca i ka bërë thirrje opozitës të kthehet në Kuvend, pasi sipas saj, po pengohen reformat.