E Shtunë, 31 Tetor 2026

Siguria, Topi-Evanoff: Shqipëria, e para në Ballkan



NATO vlerëson kontributin e vendit tonë në funksion të rritjes së sigurisë rajonale duke e quajtur “Shqipërinë, vend udhëheqës në Ballkan në këtë drejtim”. Gjithashtu dhe në linjën e luftës kundër terrorizmit ndërkombëtar, krimit të organizuar dhe trafiqeve, si dhe bashkëpunimin shumë të vlefshëm e të frytshëm me institucionet dhe strukturat shqiptare në kuadër të Aleancës më të madhe politiko-ushtarake në botë. Presidenti Bamir Topi takoi dje drejtorin për Çështjet e Sigurisë në NATO, Michael T. Evanoff. Pas anëtarësimit në Aleancën më të madhe të paqes dhe të sigurisë në botë, klasa politike, institucionet dhe shoqëria shqiptare janë të ndërgjegjshme për përgjegjësitë në rritje dhe për përkushtimin në realizimin me standarde të angazhimeve që kërkon përkatësia euroatlantike. Ky është fillimi i punës së vërtetë në cilësinë e një kontribuuesi të mirëfilltë, aktiv e të përgjegjshëm, në cilësinë e anëtarit të barabartë mes të barabartëve”, - nënvizoi gjatë bisedës Kryetari i Shtetit. Presidenti Topi bëri një panoramë të zhvillimeve të fundit në Shqipëri dhe vuri në dukje ecurinë pozitive të reformave të rëndësishme për zhvillimin e vendit, përfshi këtu dhe reformën në fushën ushtarake. Kryetari i Shtetit shprehu bindjen se “realizimi i reformave dhe gjithanshme, ndërtimi i shtetit të së drejtës, konsolidimi i institucioneve të pavarura dhe perfeksionimi i standardeve do të mundësojnë përballjen me sukses me sfidat rajonale e globale që cenojnë sigurinë dhe vlerat tona të përbashkëta: terrorizmin, përhapjen e armëve të shkatërrimit në masë, krimi i organizuar dhe trafiku ndërkombëtar i narkotikëve etj.”.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›