E Diel, 1 Nëntor 2026

Topalli përshëndet raportin: KE, zgjedhje korrekte në 93% të qendrave



Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, përshëndeti dje raportin e Këshillit të Evropës për zgjedhjet e 28 qershorit, duke marrë si referencë faktin se zgjedhjet ishin shumë të mira në 93 për qind të qendrave të votimit.

Gjatë seancës së djeshme plenare, kryetarja Topalli pohoi se raporti i KE-së i bëri një vlerësim pozitiv procesit zgjedhor. Për këtë arsye, Jozefina Topalli ftoi socialistët që të kthehen në Parlament dhe të përmbushin detyrën e tyre si opozitë. Para deputetëve në sallë, ajo u shpreh: “Në emrin tuaj, më lejoni të shpreh konsideratën, vlerësimin pozitiv dhe të përshëndes raportin e Këshillit të Evropës për zgjedhjet, një raport objektiv, realist, shumë pozitiv, i cili ndoshta edhe më shumë se raportet e mëparshme thekson se zgjedhjet ishin një progres i qenësishëm, se procedurat e regjistrimit, të identifikimit të zgjedhësve, të adaptimit të një kuadri juridik të përmirësuar shënonin një progres të rëndësishëm”. Znj. Topalli u ndal në disa nga çështjet më të rëndësishme të raportit të Këshillit të Evropës, duke thënë se rritja dhe përmirësimi i punës së Komisionit Qendror të Zgjedhjeve ishte një tjetër pikë e rëndësishme e këtij raporti. Duke cituar vlerësimin e Këshillit të Evropës, ndër të tjera kryetarja e Kuvendit pohoi se raporti konstatonte se dita e votimit ishte e organizuar shumë mirë dhe se procedurat e votimit u vlerësuan mirë dhe shumë mirë në 93 për qind të qendrave të votimit. Topalli shprehu konsideratën për vëzhguesit e KE-së që u ndodhën në Shqipëri për të parë nga afër procesin e zgjedhjeve. Ajo shtoi se raporti i hartuar nga KE-ja shpreh një ndryshim të dukshëm me situatën para qershorit në krahasim me periudhën pas 28 qershorit. “Në emrin tuaj, më lejoni të falënderoj të gjithë observuesit e huaj që kanë konkluduar në këto raporte, njëra pas tjetrës, të cilat flasin fjalët më të mirë për 28 qershorin dhe për të gjithë periudhën para dhe pas 28 qershorit”, - tha Topalli. Raporti i Këshillit të Evropës, i cili u publikua tri ditë më parë, vlerësonte se procesi zgjedhor në Shqipëri kishte arritur standarde të rëndësishme si në reformën zgjedhore, infrastrukturën e zgjedhjeve, si: votimi, numërimi i votave, procesi i identifikimit si dhe bërja e kartave të identiteti biometrike.

Kryetarja e Kuvendit, Topalli, ftoi opozitën të kthehet në Kuvend dhe të kryejë detyrën e saj. Ajo vuri në dukje se vendit i duhet një opozitë konstruktive për të bashkëpunuar për realizimin e reformave të mëdha me qëllimin e vetëm integrimin e vendit në Bashkimin Evropian. “Shfrytëzoj edhe një herë rastin për të ftuar opozitën që të vijë këtu, të kryejë detyrën e saj, të bëjë një opozitë të fortë, një opozitë konstruktive, natyrisht, edhe për të bashkëpunuar me mazhorancën për projektet e mëdha të integrimit të kësaj periudhe”, - përfundoi kryetarja e Kuvendit.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›