E Diel, 1 Nëntor 2026

Protestat, Partia Socialiste, mbështetje dhe bashkëpunim me grupet e interesit



Shaban Sulçe
Partia Socialiste ka nisur negociatat me të gjitha grupet e interesit apo kategoritë e ndryshme, të cilat janë të pakënaqura me qeverinë dhe që kohët e fundit janë hedhur në protesta kundër saj. Qëllimi i këtyre negociatave të socialistëve është dhënia e mbështetjes dhe suportit ndaj grupeve protestuese, si dhe lindja e një bashkëpunimi midis tyre dhe Partisë Socialiste, e cila, edhe ajo, nga ana e saj, prej një muaji është hedhur në protestë. Drejtues të posaçëm të PS-së kanë shprehur mbështetje, por gjithashtu kanë kërkuar bashkëpunim për të unifikuar qëndrimet kundër qeverisë, me kategorinë e pronarëve të tokës, minatorëve, ish-të përndjekurve, ish-ushtarakëve etj. Madje ka qenë edhe vetë kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, i cili, në prononcimet e tij publike, ka mbështetur qëndrimet dhe kërkesat e këtyre kategorive, duke e akuzuar qeverinë se po e zhyt vendin në krizë. Socialistët kanë kërkuar nga grupet e interesit që të marrin pjesë dhe të mbështesin protestën e madhe të 20 nëntorit, e cila do të zhvillohet në Tiranë.

Protestat
Kategori të ndryshme të grupeve të interesit, në unison me Partinë Socialiste, kanë nisur protestat si shenjë kundërshtimi ndaj qeverisë dhe vendimeve të saj. Deri tani kanë zhvilluar protestë pronarët e tokave në bashkinë e Orikumit, të cilët kanë akuzuar qeverinë se u ka grabitur pronën. Gjithashtu, një grup prej ish-të përndjekurish politikë kanë akuzuar qeverinë se nuk ka plotësuar kërkesat e tyre minimale dhe për këtë arsye kanë nisur edhe një grevë urie. Gjatë këtyre ditëve, në protestë janë hedhur edhe banorët e Roskovecit dhe familjarët e deputetit të vrarë Fatmir Xhindi, të cilët kanë kërkuar nga qeveria zbardhjen e autorëve të vrasjes së tij. Protesta ka paralajmëruar edhe sindikata e minatorëve, e cila ka kundërshtuar ligjin e propozuar nga qeveria dhe miratuar nga Kuvendi për caktimin e moshës së pensionit. Shumë pranë protestave është edhe sindikata e ish-ushtarakëve, të cilët vijojnë të kontestojnë vendimin e qeverisë, për të anuluar pensionet e tyre. Edhe Lëvizja “Mjaft”, prej disa ditësh vazhdon të protestojë kundër qeverisë dhe kundër Marrëveshjes për përcaktimin e kufijve ujorë midis Shqipërisë dhe Greqisë.

PS

Partia Socialiste prej gati një muaji ka nisur protestat e saj ndaj qeverisë, si shenjë kundërshtimi ndaj vendimit të maxhorancës për të mos hapur kutitë e votimit. Partia Socialiste së bashku me partitë e majta opozitare, PSD, PDS, G99, PBDNJ si dhe partitë e djathta opozitare, PLD dhe PDK, kanë protestuar në disa qytete të vendit, ku kanë kërkuar hapjen e kutive të votimit dhe hetimin e krimit elektoral të zgjedhjeve të 28 qershorit. Deri tani protestat janë zhvilluar në Tiranë, në Shkodër, në Berat dhe në Lushnjë, në qarqe ku socialistët pretendojnë se u janë grabitur votat në zgjedhjet e 28 qershorit. Ndërkohë, Partia Socialiste dhe partitë e tjera opozitare kanë planifikuar një protestë të madhe në 20 nëntor, e cila do të zhvillohet në kryeqytet.

20 nëntori, afati i fundit i vendosur nga PS-ja qeverisë për plotësimin e kërkesave

Partia Socialiste dhe partitë opozitare, të majta e të djathta, jo pa qëllim ka zgjedhur 20 nëntorin si datën e zhvillimit të një proteste të madhe kundër qeverisë “Berisha” dhe kundër vendimit të kryeministrit për të mos hapur kutitë e votimit. Protesta e 20 nëntorit, e cila u paralajmërua nga opozita një muaj më parë, është në vetvete edhe një ultimatum për kryeministrin Berisha, për të plotësuar kërkesat e opozitës. Rama i ka lënë afat një muaj e gjysmë rivalit të tij për plotësimin e kërkesave. Socialistët do të përshkallëzojnë protestat edhe më tej në rast se kryeministri Berisha do të refuzojë të plotësojë kërkesat e tyre.

4 Nentor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›