E Diel, 1 Nëntor 2026

Dosja “Durrës-Kukës”, gjykata vendos mbylljen e hetimeve

Nga Bledar Lumani

Gjykata e kryeqytetit ka vendosur dje mbylljen e hetimeve për dosjen “Durrës-Kukës”. Vendimi është marrë pas kërkesës së dy prej të pandehurve të kësaj çështjeje, ish-zëvendësministri i Transporteve, Armand Teliti dhe ish-drejtori Juridik në këtë ministri, Andi Toma. Prokuroria kishte vendosur pak kohë më parë zgjatjen e këtyre hetimeve edhe për një muaj, por tashmë dosja duhet të dorëzohet në gjykatë për shqyrtim. Përveç dy ish-zyrtarëve të mësipërm, për këtë çështje akuzohet edhe ish-ministri i Transporteve dhe aktualisht ministër i Jashtëm, Lulëzim Basha. Sipas hetimeve të prokurorisë, në ndërtimin e rrugës Durrës-Kukës është provuar shkaktimi i një dëmi të konsiderueshëm prej 230 milionë eurosh ndaj shtetit shqiptar.

Vendimi

Gjykata e Shkallës së Parë në kryeqytet vendosi dje shfuqizimin e organit të akuzës për zgjatjen e hetimeve të dosjes “Durrës-Kukës” deri më datën 10 dhjetor të këtij viti. Kjo, pas kërkesës së ish-zëvendësministrit të Transporteve, Armand Teliti dhe ish-drejtorit Juridik në këtë ministri, Andi Toma, të cilët paditën prokurorin e Arben Kraja për zvarritjen e hetimeve. Gjatë vendimit të djeshëm, gjyqtari Sokol Tona ka hedhur poshtë kërkesat e prokurorit të kësaj çështjeje, njëra prej të cilave ishte mosshqyrtimi i kësaj ankese nga kjo gjykatë, por nga Gjykata e Lartë, meqenëse si person nën hetim është edhe ish-ministri i Transporteve, aktualisht ministër i Jashtëm, Lulëzim Basha. Tona kërkoi të saktësohej nga organi i akuzës, nëse Basha është i pandehur apo person nën hetim dhe mori përgjigjen se ministri është nën hetim. Dhe ka qenë pikërisht ky fakt që ankesa e Telitit dhe Tomës të shqyrtohej nga gjykata e kryeqytetit. Me vendimin e djeshëm të gjykatës së kryeqytetit, Prokuroria e Përgjithshme duhet t'i japë fund sa më shpejt procesit hetimor paraprak dhe të dërgojë në gjykatë dosjen hetimore “Durrës-Kukës”. Ndërkohë, të gjitha veprimet dhe hetimet e kryera nga ana e prokurorisë, nga 6 nëntori, kur u shty dhe me një muaj hetimi dhe deri më dje, janë konsideruar si të pavlefshme nga gjykata. Megjithatë, prokurori Arben Kraja tha se ky vendim i gjykatës së kryeqytetit do të ankimohet në Gjykatën e Lartë, teksa, sipas tij, afati përfundimtar për mbylljen e hetimeve të rrugës Durrës-Kukës do të jetë pikërisht data 6 dhjetor. Sipas prokurorisë, zgjatja e afatit hetimor me një muaj është bërë, pasi deputeti pa imunitet, Lulëzim Basha dhe dy të pandehurit e tjerë, Teliti e Toma, nuk janë shprehur me shkrim në lidhje me konkluzionet e dy ekspertëve kontabël, të cilët kanë kryer vlerësimin e dëmit që i është shkaktuar shtetit shqiptar në ndërtimin e rrugës Durrës-Kukës. Procedimi penal ndaj këtyre të fundit nisi nga prokuroria e Tiranës më 9 mars të vitit të kaluar, teksa Prokuroria e Përgjithshme pohon se hetimet janë në prag të përfundimit dhe së shpejti do të ketë edhe konkluzionet për secilin nga të akuzuarit.

Përfundimet e akt-ekspertimit

Akt-ekspertimi i dy ekspertëve kontabël, Pëllumb Ahmetaj dhe Zenun Katana, sipas burimeve të prokurorisë, ka nxjerrë një dëm të madh që i është shkaktuar shtetit, me anë të procedurave dhe mënyrës së shpalljes së fituesit të tenderit për ndërtimin e kësaj rruge. “Në këtë raport disafaqësh, ekspertët kontabël, Ahmetaj dhe Katana, kanë arritur në përfundim se drejtuesit e Ministrisë së Transporteve, me veprimet dhe mosveprimet e tyre në procedurat e ndjekura dhe përcaktimin e fituesit të tenderit për ndërtimin e rrugës Durrës-Kukës, pa tunelin, i kanë shkaktuar shtetit shqiptar një dëm prej rreth 230 milionë eurosh”, - thuhet në raportin që ndodhet në zyrën e Prokurorisë së Përgjithshme.

Të akuzuar për këtë çështje, përveç Telitit dhe Tomës, janë edhe ish-ministri i Transporteve, aktualisht ministër i Jashtëm, Lulëzim Basha, si dhe ish-drejtoresha e Rrugëve, Lejla Saraçi. Sipas akuzës, ish-ministri i Transporteve, Lulëzim Basha, akuzohet se ka shpërdoruar detyrën gjatë projektimit, tenderimit dhe deklarimit të fituesit për ndërtimin e rrugës Durrës-Kukës, konkretisht të segmentit rrugor Rrëshen-Kalimash. Ndërkohë, dy të pandehurit e tjerë, Armand Teliti dhe Andi Toma, akuzohen për “Shpërdorim detyre” dhe “Ushtrim të ndikimit të paligjshëm te vartësit”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›