E Diel, 1 Nëntor 2026

Deputetët demokratë “i tregojnë dhëmbët” Berishës



Erald Kapri

Mbledhja jashtë radhe e Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, e zhvilluar dje me dyer të mbyllura, ndonëse zgjati mbi 2 orë, nuk ka marrë dot asnjë vendim. Kryetari i Grupit Parlamentar të PD-së, Astrit Patozi, deklaroi mbas mbledhjes se u vendos të mbështetet propozimi i Partisë Socialiste për një sistem zgjedhor proporcional rajonal, por deputetët konfirmuan të kundërtën. “Ne e kemi shpallur tashmë që do të mbështesim çdo propozim që vjen nga opozita lidhur me sistemin zgjedhor dhe i përmbahemi këtij qëndrimi”, - tha Patozi. Ndryshe nga kjo deklaratë për publikun, mbledhja u zhvillua nën një debat të ashpër, ku një pjesë e deputetëve të PD-së kërkuan llogari dhe arsyen e mbështetjes së sistemit të propozuar nga PS-ja. Deputetët e PD-së kanë dëshmuar dje se kur ndjejnë se u cenohen zonat e tyre elektorale, nuk ngurrojnë “t’i tregojnë dhëmbët” kryeministrit Berisha. Deputetët kundërshtarë kërkuan njëkohësisht se duhet një propozim i ri për sistemin zgjedhor, i ardhur nga e djathta, por një pjesë grupit të deputetëve të PD-së e ka bërë fakt të kryer mbështetjen e propozimit të PS-së. Pavarësisht se nuk u mor asnjë vendim, përveç se do të vendoset në mbledhjen e ardhshme të grupit për ndryshimet kushtetuese në tërësi, ajo që u duk ishte përçarja e deputetëve të Grupit Parlamentar të PD-së. Sipas deputetëve që mbështesin sistemin e propozuar nga PS-ja, deputetët kundërshtarë të këtij propozimi kanë vetëm hallin e rizgjedhjes së tyre në Kuvend, pasi nuk kanë parashtruar një diskutim parimor. Ndërkohë, deputetët e PD-së që nuk kanë qenë dakord me mbështetjen e sistemit të propozuar nga PS-ja, shprehen se nuk është e udhës që maxhoranca të mos ketë një propozim të sajin të konsultuar gjerësisht brenda saj.
Mbledhja
Grupi Parlamentar u thirr nga kryeministri Sali Berisha në këtë mbledhje jashtë radhe për të diskutuar mbi ndryshimet në Kushtetutë. Sipas burimeve, Berisha ka qenë i irrituar në lidhje me disa nga propozimet e një pjesë të deputetëve të PD-së që kërkuan ndryshimin e disa neneve në Kushtetutë. Kryeministri mblodhi në zyrën e tij deputetët demokratë të Komisionit të Ligjeve, duke u kërkuar atyre anulimin e propozimit për ndryshimin e nenit 93, i cili kërkonte që çdo dekret presidencial të firmoset edhe nga kryeministri. Ky propozim shkaktoi irritim brenda Grupit Parlamentar të PD-së. Mbledhja e djeshme ka shërbyer më shumë për sqarimin e këtyre “provokimeve”, sesa gjetjes së një rruge të përbashkët. Gjithsesi, sistemi i ardhshëm zgjedhor ka qenë në krye të debatit mes deputetëve të PD-së dhe kryeministrit Berisha. Kryeministri ka pranuar debatin duke mos mbajtur asnjë qëndrim politik, si dhe nuk ka mbështetur asnjë palë në Grupin Parlamentar në lidhje me sistemin zgjedhor. Vendimi politik në lidhje me këtë çështje duket se do të merret në mbledhjen e ditës së hënë.
Ndryshimet
Ndonëse janë prekur shumë pak gjatë debatit, ndryshimet kushtetuese të propozuara nga grupi i PD-së në Kuvend janë cilësuar si të nxituara nga një pjesë e grupit të PD-së. Gjatë mbledhje së djeshme ka pasur edhe propozime si zgjedhja e presidenti nga populli. Këto propozime nuk janë shqyrtuar. Njëkohësisht kryeministri Berisha u tha deputetëve të vet se do të ketë edhe një mbledhje mes kryetarëve të partive të koalicionit për të diskutuar më gjerë për sistemin zgjedhor. Këtë premtim e konfirmoi edhe kreu i Grupit, Patozi. “Ne jemi në një komunikim të vazhdueshëm dhe respekt të vazhdueshëm për aleatët dhe unë besoj se shumë shpejt do të ketë takim të nivelit të lartë me ta”, - tha Patozi.

Topalli, kundër zgjedhjes së presidentit nga populli

Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, në një intervistë dhënë “Zërit të Amerikës”, ka kundërshtuar bindshëm idenë e zgjedhjes së presidentit nga populli. Sipas kryetares Topalli, Shqipëria është një Republikë Parlamentare dhe nuk e ka të nevojshme që të ketë një zgjedhje nga populli të presidentit në momentit kur ai post është vetëm ceremonial. Pavarësisht idesë së hedhur edhe nga deputetët e PD-së për një president që duhet të zgjidhet nga populli, apo krizës që u shkaktua vjet për shkak të sistemit të zgjedhjes së presidentit, kryetarja e Kuvendit shprehet e bindur se propozimi i grupit të PD-së që në raundin e fundit presidenti të zgjidhet me shumicë të thjeshtë, është më i miri. “Përsa i takon variantit të menduar për zgjedhje të Presidentit nga populli, mendoj se ajo do të ishte pastaj një përmbysje totale kushtetuese, pasi Shqipëria është një Republikë Parlamentare dhe në Republikën Parlamentare, institucioni qendror, ku bëhet gjithë politika, arena e debatit, reformat, është Parlamenti. Ndërsa Presidenti, është një institucion gjerësisht ceremonial, me një shtyllë të fuqishme në fushën ushtarake, meqenëse presidenti është Komandanti i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura. Ky është komponenti që ka Presidenti i Republikës së Shqipërisë, pjesa tjetër është ceremonial”, - tha Topalli. Gjatë intervistës së dhënë në “Zërin e Amerikës” Topalli ka folur edhe për debatin e fundit politik, reformën zgjedhore. “Besoj së gjatë gjithë kësaj periudhe janë parë modele të ndryshme të funksionimit dhe të realizimit të sistemeve elektorale dhe propozimi i sjellë është me idenë e krijimit të një qeverisje stabël. Cilado forcë politike që do të marrë pushtetin, e majtë apo e djathë, do të ketë mundësi të qeverisë për periudhën e mandatit pa qenë të kërcënuara nga presione të ndryshme apo nga situata të ndryshme. Kjo besoj se i shërben vendit në mënyrë të veçantë, në një fazë të caktuar kur Shqipëria ka nevojë të ecë përpara me të njëjtat ritme në reforma. Kështu që, në këtë aspekt nuk është se sistemi i ri do të krijojë një spektër politik në parlament që do të përbëhet nga dy parti, kjo s’është e vërtetë, ky është abuzim dhe një spekulim”, - tha Topalli.

14 Prill 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›