Republikanët në Fier, kundër sistemit zgjedhor të PD-së dhe PS-së
Partia Republikane organizoi ditën e djeshme një takim me të zgjedhurit vendorë, anëtarët e kryesisë së rretheve Fier, Lushnjë dhe Mallakastër, për konstituimin e Asamblesë Rajonale. Nënkryetari i Partisë Republikane, Aleksandër Garuli, foli për domosdoshmërinë e organizimit të strukturës së re drejtuese të PR-së, si një hallkë që lidh më tepër bazën me qendrën e partisë. Garuli ritheksoi qëndrimin e PR-së për kundërshtimin e sistemit zgjedhor proporcional rajonal. “Asambleja Rajonale është një strukturë e re, që hyn për herë të parë në statutin e PR dhe ne gjykojmë se kjo është një strukturë që do të ndjekë më me koherencë problemet dhe do ta bëjë prezente PR-ja në qark dhe prefekturë. Ne, pavarësisht nga koalicioni dhe qëndrimi në maxhorancë, kemi mendim të ndryshëm përsa i përket Kodit Zgjedhor. Ne nuk jemi dakord me qëndrimin e dy partive te mëdha, që të krijojnë përshtypjen se po e monopolizojnë politikën”, - tha Garuli.
14 Prill 2008