Deputetët demokratë, kundër paketës "Trashani"
Biberaj dhe Paloka kanë kundërshtuar pika të veçanta të amendamenteve kushtetuese
"Zgjedhja e Presidentit nga populli do të ishte njëkohësisht shprehje dhe ushtrim i demokracisë direkte"
Mbledhja e fundit e grupit parlamentar demokrat nuk ka arritur që t'i japë një zgjidhje përfundimtare debatit për ndryshimet kushtetuese. Megjithëse, menjëherë pas mbledhjes, kreu i parlamentarëve demokratë Astrit Patozi deklaroi se grupi kishte arritur që të sheshonte dallimet për të gjitha çështjet që prekin amendamentet kushtetuese, deputetë të Partisë Demokratike, si Aleksandër Biberaj, Edi Paloka apo edhe Ferdinant Xhaferri, kanë shprehur dje hapur mospajtimin e tyre në lidhje me pika të caktuara të saj. Ai që duket se del hapur në një qëndrim të kundërt nga ai që mbështeti grupi është deputeti Aleksandër Biberaj i cili, me anë të një deklarate për mediat, ka bërë të ditur qëndrimin e tij kundër përmbajtjes së propozimit për të ndryshuar nenin 87 të Kushtetutës, nen që ka të bëj me zgjedhjen e Presidentit. Biberaj mbështet një propozim të hershëm të kreut të shtetit, Bamir Topi, për zgjedhjen e Presidentit të Republikës nga populli, duke e konsideruar këtë si mënyrën më të mirë dhe më demokratike. Ai thekson se "zgjedhja e Presidentit nga populli do të ishte njëkohësisht shprehje dhe ushtrim i demokracisë direkte, i demokracisë së drejtpërdrejtë të popullit, gjë që përfaqëson edhe nivelin më të lartë të demokracisë". Sipas tij, zgjedhja e Presidentit të Republikës nga populli do të krijonte kushte dhe mundësi që në postin e kreut të shtetit të zgjidheshin personalitete politike me reputacion popullor. Deputeti Biberaj nënvizon se kjo mënyrë zgjedhjeje do të shmangte pazaret dhe kulisat politike, gjithashtu, krizat e mundshme politike që mund të vijnë nga mos zgjedhja e presidentit nga Parlamenti. "Një element shumë i rëndësishëm i zgjedhjes së presidentit nga populli, do të ishte edhe rritja dhe forcimi i pavarësisë së institucionit të Presidentit të Republikës, element ky shumë i rëndësishëm për funksionimin e shtetit ligjor dhe balancimin e pushteteve në demokraci",- shprehet Biberaj. Ndërkohë që deputetit tjetër demokrat, Edi Paloka, i cili gjatë mbledhjes së fundit të grupit u rreshtua në grupin e deputetëve kundërshtues për ndryshimet kushtetuese, duke mos mohuar debatet që karakterizuan këtë mbledhje, është shprehur dje se ato janë tregues i ekzistencës së mendimit ndryshe. Por ndryshe nga Biberaj, Paloka duket se është mospajtues vetëm me ndryshimin e sistemit zgjedhor nga mazhoritaro-proporcional në proporcional- rajonal. "Diskutimet u përqendruan tek sistemi elektoral dhe mendimet ishin të ndryshme, ku secili dha mendimin e tij. Një pjesë e deputetëve kanë qenë të painformuar dhe gjatë kësaj mbledhjeje ata morën informacionin e duhur nga Kryeministri dhe drejtuesit e grupit",- tha Paloka. Nga ana tjetër, ai ka bërë të ditur se PD ka hequr dorë nga propozimi për ndryshimin e nenit 93 të Kushtetutës, për t'i dhënë Kryeministrit të drejtën e kundrafirmës në dekretet e Presidentit. Sipas tij, ishte vetë Kryeministri, ai që gjatë kësaj mbledhjeje u kërkoi nismëtarëve të këtyre amendamenteve që të heqin dorë nga ndryshimi i nenit 93 të Kushtetutës. "Për pikën që bënte fjalë për kundrafirmën që duhet të kishin dekretet e Presidentit edhe z.Berisha u shpreh kundër, duke thënë që nuk mendoj se është diçka e nevojshme", - u shpreh Paloka. Ndërkohë që gjatë mbledhjes së grupit të ditës së shtunë, pati dhe shumë zëra të tjerë kundër pikave të veçanta të paketës së propozimeve për amendimin e Kushtetutës.