"Pas ngjarjes me kirurgun në Tiranë"
Sëmundja lartëson atë që vuan edhe atë që i shërben atij. Janë të lumtur ata që e kuptojnë këtë. Homeri e kishte kuptuar forcën e plagës tek ai që vuan dhe tek ai që kujdesej për të. Nga fundi i "Odisesë" ne e gjejmë Uliksin të shtrirë në brigjet e atdheut, që e kish lënë njëzet vjet më parë. I dredhur nga emocionet ai kish marrë rrugën drejt portave të pallatit dhe e kish drejtuar shikimin brenda. Ajo që ai pa e mbushi me tërbim. Njerëzit e gruas, Penelopës, kishin marrë kontrollin e pallatit. Ata ishin zhytur në orgji dhe shpërdoronin thesarin e tij. Penelopa dhe djali i saj, Telemaku, nuk i ndalonin dot ata.
Uliksi ia behu brenda. Ai donte ta ruante sekretin e të mos tregonte kush ishte. E çojnë tek Penelopa dhe ajo bisedoi me të. Ajo e pëlqeu, por nuk e njohu. Ajo kërkoi t'i tregonte, nëse dinte diçka të re për burrin e saj. Ai nuk i tha asgjë. Penelopa thirri infermieren e vjetër Euryklea që t'i lante këmbët të huajit dhe t'i ofronte mirëseardhjen.
Dyzet vjet më parë, kur ishte djalë i ri 10-vjeç, Odiseja kishte shkuar të vizitonte gjyshin e vet në një qytet tjetër. Në gjuetinë për derra të egër tek gjyshi, një derr ia kish ngulur çatallet në kofshë. Plaga ishte e keqe dhe shpejt u infektua. Djali kaloi në sepsis. Për një kohë të gjatë ata ishin të frikësuar së mos djali vdiste. Ishte po kjo infermiere, kjo Euryklea, që u vu në dispozicion për të mjekuar Odisenë e plagosur. Ishte kjo që ia pastronte dhe mjekonte plagën. Ajo ia shtrydhte qelbin dhe i vinte pomadat dhe barërat shëruese. Ajo e mbante të pastër gjakun e pacientit të vogël. Erdhi dita që ajo vuri re se indet nekrotike në bazën e plagës, u ndanë dhe ranë. U duken pika të kuqe të indit të granulacionit. U krijua një shtrat i shëndetshëm ku rritej epiteli dhe plaga u shërua.
Ja, tani, 40 vjet më vonë. Infermieria e vjetër zhveshi këmbët e të huajit. Menjëherë ajo e ndjeu cikatriksin në kofshën e burrit.
Nuk ishte as gruaja e as djali që e njohën Odisenë. Ishte infermieria ajo që e njohu. Ishte plaga që zgjoi të kaluarën. Plaga, që ishte emblemë e dhimbjes dhe e dëshpërimit, që ata të dy kishin ndarë.
U zgjata me këtë histori, sepse dua të të them që puna e atyre që kujdesen për të sëmurët, nuk vlerësohet nga paratë që u marrin të sëmurëve, por nga dëshpërimi dhe ngazëllimi që ndjejnë për jetën e tyre.