E Shtunë, 31 Tetor 2026

Deputetët diskutojnë për faturat e janarit

Me kërkesën e grupit parlamentar të LDK-së, deputetët e Kuvendit të Kosovës po debatojnë lidhur me faturimin e shpenzimit të energjisë elektrike për muajin janar 2013.

Ky debat parlamentar vjen pas shprehjes së pakënaqësisë nga ana e qytetarëve për faturimin e muajit janar dhe për njehsorët e rinj.

Propozuesja e çështjes, deputetja Teuta Sahatqija ka kërkuar të merren masa ndaj atyre që kanë kryer gabime dhe në të njëjtën kohë të merren masa parandaluese që të mos ndodhin këto gabime në të ardhmen.

“Nuk është i vetmi problem KEK-u dhe leximi i njehsorëve por problem janë politikat qeveritare nisur nga shitja e aseteve dhe reflektimi i këtyre politikave në fryrjen e faturave. Këto kërkojnë zgjidhje dhe funksionim të shtetit dhe të institucioneve ashtu siç është kërkuar prej deputetëve dhe prej qytetarëve në mënyre që të eliminohet nevoja e zgjidhjes së problemit përmes protestave, sulmeve dhe rrahjeve ndaj punëtorëve të KEK-ut”, ka thënë Sahatqija.

Lidhja Demokratike si iniciuese e debatit ka propozuar këto rekomandime :
1- Të formohet komisioni parlamentar ad-hoc mbështetur në Kushtetutën e Republikës së Kosovës , neni 77, pika 1 sipas rregullores së punës së Kuvendit të Kosovës, neni 71, pika 2 dhe pika 4.
2- Komisioni sipas kompetencave që i siguron Kushtetuta dhe rregullorja të analizojë procedurën në zhvillimet e lartë përmendura.
3- Komisioni të përgatisë raporte dhe gjithë të gjeturat t’i ofrojë Kuvendit për diskutim brenda afatit tre javor nga data e formimit të tij.

Ndërkaq Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Besim Beqaj e ka vlerësuar debatin si një mundësi të mirë për të diskutuar për një problem që ka ngjallur shumë debate ditëve të fundit.

“Shqetësim i qytetarëve është i drejtë për një problem çfarëdo qoftë ai mbi faturim apo edhe gabime tjera të cilat kanë ndodhur. Prandaj Qeveria e Kosovës në kuadër të kompetencave të veta ka marrë të gjitha masat e duhura të cilat janë të rregulluara me bazë ligjore dhe me kompetenca të cilat i ka Qeveria si aksionare në ndërmarrjet publike”

Beqaj ka rikujtuar se çështja e faturimeve dhe e tarifave janë kompetenca të Zyrës se Rregullatorit për energji dhe se Ministria që ai drejton nuk merret me menaxhim të drejtpërdrejtë të ndërmarrjeve publike.

“Ministria e zhvillimit ekonomik krijon politika për sektorin energjetik por nuk merret në asnjë rrethanë me menaxhim të drejtpërdrejtë të ndërmarrjeve . Çështja e kohës së faturimeve, çështja e tarifave janë në mënyrë të drejtpërdrejtë, kompetencë e Zyrës së Rregullatorit për energji i cili aprovon planin e investimeve për KEK-un, dhe kjo bëhet njëherë në vit për të gjitha investimet”, ka thënë Beqaj.

Nga ana e tij kryekuvendari Jakup Krasniqi, ka thënë se një debat i tillë nuk ka efekt marrë parasysh që ZRRE ende nuk ka lëshuar një raport që ka përfshirë arsyen e fryerjes së faturave.

“Debati nuk do të ketë efekt pa raport të ZRRE, raport që do të përfshinte arysen për fryerjen e faturave për muajin janar. Mungesa e raportit ka krijuar huti në opinion dhe ka krijuar imazh të keq për KEK-un, ka krijuar imazh të keq për invesitorët. Kompetentët duhet të përgjigjen për këto veprime. ZRRE, ka vendosur në mënyrë shumë diskriminuese konsumatorët e amvisërisë me konsumatorët e tjerë”, ka theksuar Krasniqi.

Kreu i Kuvendit, ka kërkuar njëherit që mos të ketë ngritje të çmimit të energjisë./Indeksonline/

 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›