E Shtunë, 31 Tetor 2026

Deputetët e Beratit: Shkollat u mbyllën me urdhër

Deputetët e opozitës për Qarkun e Beratit reaguan ashpër dje ndaj vizitës së Kryetares së Kuvendit Topalli në zonën e tyre. Shkak për këtë është bërë urdhri i dhënë një ditë më parë, që të mbylleshin të gjitha shkollat, spitalet dhe administrata shtetërore në këtë qark, për shkak të turit e nënkryetares së PD-së, njëkohësisht Kryetare e Kuvendit, Jozefina Topalli. Deputetët e Qarkut të Beratit, Bashkim Fino, Erion Braçe e Marko Bello, në një komunikim mediatik, shprehën shqetësimin se Topalli, duke shpërdoruar autoritetin e saj si Kryetare e Kuvendit, ka mbyllur të gjitha institucionet e arsimit dhe shëndetësisë. "Duke shfrytëzuar autoritetin e saj si Kryetare e Kuvendit, duke shfrytëzuar politizimin thelbësor të institucioneve të arsimit dhe të shëndetësisë, si në të gjithë vendin, edhe në qytetin e Beratit, prej orës 8:30 të mëngjesit, të gjitha shkollat 9-vjeçare dhe të mesme, në rrethet Kuçovë dhe Berat janë mbyllur. Mësueset janë urdhëruar të lënë ditën e punës dhe të jenë në mitingun e nënkryetares së Partisë Demokratike në kalanë e Beratit. Po kështu, që nga ora 10:30, infermieret e spitaleve të Beratit dhe të qendrave shëndetësore të qytetit janë urdhëruar të lënë punën dhe të marrin pjesë në mitingun e nënkryetares së PD në Berat", theksuan deputetët e Beratit.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›