E Diel, 1 Nëntor 2026

Rreziku, një pasword gabim alarmon bankën

10/04/2005  Rreziqet që mund të vijnë nga shërbimi në internet

Llogaritë mund të vidhen jo vetëm nga specialistë në fushën e internetit, por dhe nga punonjës që përfitojnë nga mungesa e vigjilencës nga ana e bankës

Klientët mund të mos shkojnë vetë te sporteli dhe të kryejnë nga kompjuteri personal të gjitha veprimet. Por, edhe dikush tjetër mund të punojë në emër të tij, duke i kaluar të gjitha paratë e depozituara nga një llogari në një tjetër. Dhe kjo mund të ndodhë me “internet banking”, në rast se individi tregohet i pakujdesshëm, por dhe në rast se bankat kanë punonjës jo të besueshëm. “Punonjësi që merret me kontrollin e kësaj veprimtarie, mund të alarmohet në rast se vë re se një pasword për të hyrë në një llogari bëhet më shumë se dy herë gabim”, thotë Klodion Shehu, drejtor i Departamentit në Bankën e Shqipërisë. Sipas drejtorit, në BSH deri më sot, nuk është konstatuar asnjë rast, por gjithçka mund të ndodhë. “Asgjë nuk është absolute dhe ne kur hartuam rregulloren, pikërisht këtë synuam”, thotë Klodion Shehu. Sipas drejtorit Shehu, bankat kanë në dorë të minimizojnë riskun që vjen nga pirateria bankare, duke zbatuar korrektësisht rregulloren. Kështu, punonjësit që merren me kontrollin e llogarive që kanë shërbim në internet, duhet të kontrollohen nga një epror tjetër, që verifikon veprimin dhe ky vetë duhet të japë llogari te një tjetër, që autorizon këtë veprimtari. Kështu ulet në minimum rreziku që një punonjës banke, duke njohur pasword-in dhe duke patur të gjitha akseset, të abuzojë me llogaritë. Por ky nuk është rreziku i vetëm. Bankat e nivelit të dytë duhet të kenë mendjen kur lidhin kontratat me palët e treat, që janë operatorët që mundësojnë shërbimin në internet dhe që është një segment gjithashtu me rrezik për shërbimin në internet. “Ekspertë interneti mund të futen në rrjet dhe të transferojnë paratë”, thotë Shehu. Vetë individi duhet të jetë një person i njohur nga banka dhe punonjësit e bankës duhet të kenë informacion të plotë mbi gamën e shërbimeve që ai ka në dispozicion. Kushdo që do të ketë aksesin e këtij shërbimi, duhet të paraqitet në bankë për të bërë një njohje zyrtare, sepse njohja fizike është kusht për lidhjen e kontratës. Më pas, klientit i jepet nga banka një pasword për të kontrolluar ose punuar me llogarinë e tij. Klientët janë të detyruar të kryejnë ato operacione bankare, për të cilat u kanë marrë autorizim bankës dhe nuk u lejohet të kryejnë veprime mbi të drejtat që u njihen me kontratë. Kështu në kontratë përcaktohet shuma e parave që mund të transferojë brenda ditës apo dhe veprime e tjera. “Shuma e parave është e diskutueshme nga njëra bankë te tjetra dhe përgjithësisht varet nga individi dhe lloji i veprimtarsië që ai ka”, thotë Klodion Shehu

Klodion Shehu, ja si do veprojmë ne si BSH

Banka e Shqipërisë ka urdhëruar aplikimin e “internet banking”, çfarë ndodh pas këtij hapi?

Bankat e nivelit të dytë duhet të fillojnë të përgatisin gjithë strukturën për të vënë në dispozicion të klientëve të tyre shërbimin në internet. Ka banka që e kanë të gatshme këtë shërbim, por ka dhe banka që duhet të fillojnë të përgatiten.

Çfarë duhet të bëjnë bankat e nivelit të dytë?

Në radhë të parë duhet të njihen me rregulloren, e cila nuk tenton të kufizojë, por kërkon nga bankat që kur të veprojnë të kenë parassyh disa momente dhe rreziqe. Kështu, pikë së pari, banka duhet të marrë miratimin e Këshillit Mbikëqyrës apo të bordit të aksionerëve, i cili duhet të autorizojë këtë veprimtari. Më pas duhet të hartojë disa politika dhe procedura që përcaktojnë marrjen dhe trajtimin e informacionit nga ana e punonjësve të bankës. Bankat duhet të marrin të gjitha masat për të patur të sigurtë procesin.

Si do të kontrollohet nga ana e BSH-së ky shërbim i ri bankar?

Rregullorja nuk është shpikur nga ne, por është marrë nga Komiteti i Bazelit, kuptohet, duke bërë rregullimet e nevojshme për situatën tonë. Mbështetur në rregullore, ne duhet të bëjmë një kontroll sistematik bankave të nivelit të dytë, që është dhe pjesë e mbikëqyrjes bankare. Kështu të paktën një herë në 18 muaj, për një afat kohor prej 3–4 javësh, ne bëjmë një kontroll të përgjithshëm mbi veprimtarinë e bankave dhe në këtë moment do të kontrollojmë dhe verifikojmë gjithçka dhe mbi procedurat që kryen banka për shërbimin në internet. Do të kontrollohen strukturat, politika që zbaton banka, firma me të cilën ka lidhur kontratë si palë e tretë, pra, gjithçka. Atje ku ne do të vëmë re se ka nevojë për korrigjime, do të ndërhyjmë.

Masat që duhet të marrë banka për të minimizuar riskun

Identifikimi fizik i klientit

Të dhëna të plota mbi klientin

Përzgjedhja e palëve të treta

Kontrata me operatorin e internetit

Kontrolli i punonjësve të bankës

Kryerja e veprimit nga tre persona në bankë

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›