E Diel, 1 Nëntor 2026

Katër shpërthime trondisin në mesnatë Bajram Currin

10/04/2005  Enigmë autorët dhe objekti i sulmit

TROPOJË - Katër shpërthime të fuqishme tronditën dje, pas mesnate, banorët e qytetit të Tropojës, të cilët për orë të tëra kanë qendruar nëpër dritare, në vëzhgim të asaj çka po ndodhte.

Pas kësaj ngjarjeje mësohet se disa persona janë shoqëruar në polici, por më pas janë lënë të lirë.

Shpërthimet

Në lagjen “Kojë”, persona të panjohur, rreth orës 01.30 qëlluan me granathedhës pa ndonjë drejtim të përcaktuar. Sipas policisë lokale, mësohet se objekt ka qenë një pikë karburanti, e njohur si pronë e Feriz Kërnajës, ndërsa është mohuar se goditjet të kenë pasur lidhje me objektin e SHISH, që ndohej shumë pranë.

Njera nga predhat ka prekur pjesën e jashtme të murit të ndërtesës, por pa dëmtime të rënda. Shtëpia e “spiunëve” ndodhet në lagjen “Dardania”, poshtë pazarit, në dalje të qytetit të Tropojës.

Në çastin e goditjeve mësohet se rreth vendit të ngjarjes ndodhej vetëm një roje, i cili është marrë menjëherë në pyetje nga policia. I moshuari ka pretenduar para uniformave blu se nuk kishte parë asnjë person dhe se zhurma e shpërthimit e ka trembur mjaft.

Në mëngjes, punonjëst e SHISH janë shpërngulur nga zyrat për të vendosur në një tjetër ambient për çështje sigurie.

Jo shumë larg ndërtesës së shtetit, 50 metra larg, ndodhet edhe një karburant, pronë e shtetasit Ferriz Kërnaja, i vrarë më 4 gusht të vitit 1999. Prej kohësh kjo pikë karburanti i është dhënë me qira një banori të lagjes.

Policia

Autoritetet e policisë lokale dhe ato të shërbimit sekret, janë rezervuar në dhënien e versionit për qëllimin e gjuajtjeve me granathedhës. Karburanti, sipas zyrës së shtypit në Ministrinë e Rendit Publik, është cilësuar si objekti i goditjes së predhave. Ka dyshime të shumta mbi versionin e ngjarjes, që nga ajo e fundit me arrestimin e Riza Males pas vetëplagosjes, deri te grabitjet në këtë lagje.

Në vitet e mëparshme në zonën e lartëpërmendur është grabitur arka e kursimeve dhe paratë e asistencës sociale. Gjithsesi ende nuk dihet pse policia bënë këtë lidhje, ndërsa flitet për mundësinë e autorësisë së përbashkët të mëse një personi.

Pas këqyrjes në vendin e ngjarjes, forcat e policisë së Tropojës bënë disa shoqërime në komisariat, të cilët u lanë të lirë në përfundim të verifikimeve ndaj tyre.

Deri në orët e mbrëmjes së djeshme nuk pati asnjë person të shoqëruar si i dyshuar në qelitë e paraburgimit.

Me marrjen e informacionit nga Tropoja, Ministria e Rendit Publik nisi grupin e specialistëve të antiterrorit për t’u marrë me hetimin e ngjarjes. Një tjetër grup i Forcave Speciale i është shtuar atyre në Tropojë për të patur gjithçka në kontroll.

Me kalimin e gjysmës së ditës situata në Tropojë, sipas vendasve, ishte e qetë. Një natë terrori duket se është lënë pas, dhe pse nuk dihej se ç’do të ndodhte më vonë. Forcat e policisë kanë patrulluar qytetin, kurse grupi i hetimit ka vazhduar duke pyetur banorët përreth vendit të ngjarjes.

Ministria e Rendit Publik

“Objekt i sulmit, pika e karburantit”

TIRANË - Në orët e pasdites së djeshme, Ministria e Rendit Publik doli me versionin e saj zyrtar. Sipas një komunikate për shtyp, thuhet se autorët kanë patur për qëllim të shpërthejnë karburantin, që ndodhet pranë godinës së SHISH, dhe që rezulton pronë e Ferriz Kërnajës, por i dhenë me qira prej kohësh.

“Në bazë të shpjegimeve të para, është konstatuar se janë dëgjuar 4 shpërthime, të cilat vinin nga lagjja ‘Kojë’ në drejtim të qytetit dhe konkretisht në rrugën automobilistike mes karburantit dhe objektit të Degës Autonome të SHISH, Tropojë. Nga hetimet paraprake rezulton se objekt i shpërthimit të ketë qenë pika e karburantit, e cila gjatë vitit të kaluar ka qenë dy herë objekt i sulmeve me granathedhës dhe lëndë eksplozive”, thuhet në njoftimin për shtyp.

Pas kontrollit të të gjithë territorit të dyshuar, ku mund të kishin rënë predhat, janë konstatuar 3 pjesë predhash të rëna në oborrin e godinës së SHISH dhe një predhë është gjetur në trotuarin e rrugës automobilistike. Dëme në njerëz dhe objekte nuk ka.

Sipas policisë, me cilësinë e dëshmitarëve janë marrë në pyetje dhe janë shoqëruar në polici disa shtetas, që mendohet se mund të japin të dhëna për ngjarjen, si dhe në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit po punohet për të sqaruar shkaqet dhe identifikuar autorët e kësaj ngjarjeje.

Vrasjet në Tropojë

5 janar 1998

Vriten Shkëlqim Haklaj e Artur Demiri. Në momentin vrasjes, Shkëlqimi po kthehej nga Qafë Prushi ku ishte në punë si polic, ndërsa shoqërohej nga vitkima tjetër, Arturi.

6 maj 1999 – vritet në një pritë me mina të telekomanduara, Eduart Haklaj, punonjës policie në Tropojë. Prita ishte përgatitur për Fatmir Haklajn, i cili u plagos.

5 korrik 1999

Një minë me telekomandë shpërthen në rrugën ku në makinën që kalonte aty, ishin vëllezërit Haklaj. Nga atentati me minë, plagosen vëllezërit Haklaj.

4 gusht 1999 – Në një tjetër pritë me minë të telekomanduar në Urën e Valbonës, vritet Feriz Kërrnaja. Në këtë pritë u vra edhe Halil Haklaj, ndërkohë që u plagos rëndë Fatmir Haklaj.

13 tetor 1999 - Vritet në oborrin e shtëpisë së tij, në Bajram Curri, Jonus Hyka, ish-drejtor i Policisë së Kukësit, i cili në momentin e vrasjes ishte oficer i forcave speciale të policisë në Tiranë.

4 nëntor 1999 – Në një atentat pranë shtëpisë së Jaho Salihit, vritet Fatmir Haklaj. Në këtë atentat u vra edhe Sami Kërrnaja, si edhe u plagos Jaho Salihi.

3 dhjetor 2000

Pas një atentati vritet Ylli Haklaj. Ylli, ishte njëri prej vëllezërve Haklaj, të cilët kishin rënë edhe herë tjetër në prita, ku edhe ishin plagosur apo edhe vrarë.

8 maj 2002

Vriten në qendër të qytetit vëllai i Muharrem Haklaj, Elez Haklaj me të birin Cen Haklajn. Muharrem është babai i “të mirënjohurve” vëllezërit Haklaj, objekt të një sërë atentatesh.

Serial vrasjesh

Dosja "Tropoja" mbi 150 vrasje

Dosja "Tropoja" mund të jetë dosja që ka më shumë vrasje se çdo dosje tjetër. Në Bajram Curri krimi ka vrarë afro 150 djem. Vrasjet janë bërë në mes të qytetit. Ndonëse ka pasur dëshmitare, ndonëse janë identifikuar autorët, vrasjet kanë pasur njëra tjetrën duke hapur në këtë mënyrë një varr masiv. Tropoja akuzon shtetin në këtë krim të madh që nis pas vitit 1997 dhe që kulmon me vrasjen e Azem Hajdarit në Tiranë me 12 shtator 1997. Policia në shumicën e rasteve ka qenë inekzistente, ndonëse ka pasur dijeni për vrasjet. Ajo shfajësohet se shumica e autorëve të krimeve janë larguar në drejtim të Kosovës. Tropojës i mungojnë prej 6 vitesh vizitat e dy liderve të politikës, të majtë e të djathtë, të cilët nuk e kanë përfshirë Bajram Currin në axhendat e tyre. Aktualisht vrasjet në këtë qytet janë pakësuar. Ka afro shtatë muaj që krimi ka heshtur, që nuk godet. Banorët pohojnë se acarimet e situatave vijnë nga Tirana dhe jo nga Tropoja.

Deputeti i Tropojës, Azgan Haklaj, denoncon dhe akuzon strukturat shtetërore

“Përpjekje artificiale për të krijuar një zonë të nxehtë”

TIRANË - Deputeti Azgan Haklaj, e ka cilësuar një tentativë për “zjarrvënie” të Tropojës, në prag të zgjedhjeve, aktin më të fundit. Në një intervistë për gazetën “Metropol”, nga Bajram Curri, Haklaj ka mohuar variantin e policisë, se shpërthimet kanë ndodhur e se kanë pasur objekt godinën e SHISH, apo karburantin aty pranë.

Si paraqitet gjendja në Bajram Curri?

Gjendja është e qetë, krejt normale, sikurse kohët e fundit.

Ka thjesht situata të karikuara nga policia.

Po për shpërthimet e ndodhura në qytet, ç’mendoni?

Realisht janë dëgjuar katër shpërthime rreth mesnatës së kaluar, por ato kanë qenë larg godinës së SHISH, apo karburantit që ndodhej aty pranë.

Policia ka deklaruar se objekt sulmi ka qenë karburanti. Si e komenton këtë variant?

Kjo s’është asgjë më shumë se një përpjekje në prag të zgjedhjeve për të krijuar një zonë artificiale të nxehtë. Për këtë, unë akuzoj dhe denoncoj strukturat shtetërore.

Ju, si deputet keni pasur kontakte me drejtues të policisë lokale dhe çfarë keni mësuar?

Megjithë përpjekjet, nuk kam mundur të kontaktoj. Jo vetëm kaq, por duke iu referuar një komunikimi me shefin e rendit, Petrit Lata, kam arritur të mësoj se policia, prokuroria dhe gjykata kanë bllokuar çdo lloj informacioni për këtë ngjarje.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›