Deputetët e Nanos: “Do të votojmë për qeverinë në rast mocioni”
Shaban Sulçe
Në rast se opozita do të depozitojë kërkesën për mocionin e shkarkimit të kryeministrit Sali Berisha, ish-deputetët e Partisë Socialiste, të njohur si mbështetësit e ish-kryeministrit Fatos Nano, do të votojnë kundër këtij mocioni, duke dalë në përkrahje të qeverisë. Të përjashtuar një vit më parë, pasi thyen votimin politik, 5 deputetët socialistë, tashmë të rigrupuar në një grup të ri parlamentar, pritet të dalin sërish kundër qëndrimit të Partisë Socialiste dhe në favor të maxhorancës. Durim Lamaj, përfaqësues i këtij grupimi parlamentar, shprehet për gazetën “Albania” se e cilëson hipokrizi dhe tymnajë politike idenë e shprehur nga Partia Socialiste për paraqitjen e një kërkese për mocion për shkarkimin e kryeministrit Sali Berisha. Sipas Lamajt, nuk mund të ketë një mocion të mirëfilltë për sa kohë që kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama i bashkoi votat me Berishën për të ndryshuar Kushtetutën. “Grupi ynë parlamentar nuk është mbledhur dhe nuk ka diskutuar ndonjëherë në lidhje me çështjen e mocionit. Arsyeja është se e konsiderojmë atë të pamundur, tashmë që prej disa muajsh kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama i bashkoi votat me kryeministrin Berisha për të ndryshuar Kushtetutën. Me këto ndryshime, mocioni është ineficent”, - tha Lamaj. Por ish-deputeti i Partisë Socialiste deklaron se në rast se do të votohet në Kuvend një mocion i tillë, ai nuk e përjashtonte mundësinë që të votonte në favor të qeverisë. “Nuk kam ende një mendim se si do të votoj në rast se do të ketë një mocion të tillë, megjithatë nuk e përjashtoj mundësinë që të votoj pro qeverisë”, - tha Lamaj.
Numrat
Gjashtë votat e ish-deputetëve socialistë, tani të rigrupuar në një grup të ri parlamentar, i vënë shumë në dyshim llogaritë optimiste për suksesin e një mocioni kundër qeverisë dhe kryeministrit Sali Berisha. Edhe pse deri tani nuk ka pasur një depozitim mocioni nga Partia Socialiste, mundësitë për një sukses të tij nuk u përjashtuan kur deputetët e Partisë Demokristiane kërkuan dorëheqjen e kryeministrit Berisha dhe deklaruan se do të mbështesnin çdo iniciativë ligjore për largimin e tij.
Aktualisht katër partitë e opozitës kanë 52 deputetë, përkatësisht 36 PS-ja, 9 grupi parlamentar “E majta për integrim” dhe 7 Partia Social-Demokrate. Duke shtuar edhe votat e 7 deputetëve të grupit parlamentar demokristian, votën kundër të Spartak Ngjelës, Taulant Dedjes dhe Nikollë Lesit, si dhe 3 deputetët e PBDNJ-së, numri hipotetik i votave pro mocionit pritet të jetë 65. Pra një numër i pamjaftueshëm për këtë iniciativë ligjore, që kërkon shkarkimin e kryeministrit Sali Berisha.
Mocioni për debat
Mocioni për shkarkimin e kryeministrit Berisha duket i largët. Përpara votimit të tij, një tjetër mocion, por që është mocion për debat me kryeministrin, i depozituar nga socialistët disa ditë më parë, nuk po shqyrtohet. Socialistët akuzojnë kryetaren e Kuvendit Jozefina Topalli se po pengon miratimin e kërkesës së tyre për mocion për debat me kryeministrin Sali Berisha. Nënkryetari i grupit kuvendor të Partisë Socialiste, Erion Braçe, në një prononcim për gazetën “Albania”, e akuzoi Topallin se po bën çmos që të zvarrisë miratimin e këtij mocioni. “Mocioni për debat ka kohë që është depozituar në Kryesinë e Kuvendit, por kryetarja Topalli po e zvarrit atë. Kërkesa nuk është kaluar as për shqyrtim në konferencën e kryetarëve dhe nuk po miratohet për të kaluar në votim në seancë”, - tha Braçe.
22 Tetor 2008