E Shtunë, 31 Tetor 2026

Klosi: “Hapja e dosjeve të ish-Sigurimit të bëhet vetëm për të dëmtuarit”



Ish-shefi i Shërbimit Informativ Kombëtar, Fatos Klosi, ka deklaruar se hapja e dosjeve të ish-Sigurimit të Shtetit duhet të bëhet në mënyrë individuale. Sipas Klosit, dosjet e ish-Sigurimit të Shtetit duhet t’u hapen vetëm personave të cilët janë dëmtuar në atë kohë. “Për çështjen e hapjes së dosjeve është abuzuar shumë, madje kjo temë shpërthen sa herë që debati politik është i acaruar dhe intensiv. Kjo do të thotë se deri tani kjo çështje është përdorur për interesa të ngushta politike dhe jo për të vënë në vend drejtësinë. Hapja e dosjeve duhet të ketë karakter individual. Ato duhet t’u vihen në dispozicion vetëm të dëmtuarve, të cilët duhet të njihen me persekutorët e tyre”, - tha Klosi. Këtë deklaratë ish-shefi i SHIK-ut e bëri gjatë konferencës së organizuar nga Ambasada Gjermane në Tiranë, në bashkëpunim me fondacionin “Friedrich Ebert”. Në këtë aktivitet merrnin pjesë ambasadori gjerman në Tiranë, Bernd Borshard, e ngarkuara e Federatës për dosjet e shërbimit të Sigurimit të Shtetit në ish-Republikën Demokratike Gjermane, Mariane Birthler, ish-ministri i Drejtësisë Aldo Bumçi, deputeti i PD-së Aleksandër Biberaj, deputeti i PS-së Taulant Balla, përfaqësues nga të përndjekurit politikë etj. Deputeti i PS-së, Taulant Balla, ndau një mendim krejt të kundërt me ish-shefin e SHIK-ut, Fatos Klosi. Sipas Ballës, është e rëndësishme që të gjitha dosjet e ish-Sigurimit të Shtetit të hapen. “Shqipëria ka nevojë për një zgjidhje përfundimtare që buron nga detyrimi moral i shoqërisë sonë përkundrejt jetëve të humbura, familjeve të shkatërruara, burgosjeve dhe internimeve, me qëllimin e vetëm zbardhjen dhe transparencën e dosjeve të Sigurimit të Shtetit. Ne nuk kemi nevojë të shpikim forma apo ligje të veçanta që kanë në bazën e tyre lustrimin. Eksperiencat e vendeve të tjera, sikurse është eksperienca gjermane, janë shembuj të suksesshëm ku mund të bazohemi. Në këtë kontekst unë mendoj se hapi i parë, i domosdoshëm, në funksion të distancimit me të vërtetë nga autorët dhe bashkëpunëtorët e krimeve të komunizmit, fillon me hapjen e të gjitha dosjeve të Sigurimit të Shtetit, apo të mikrofilmave, nëse dosjet janë djegur, krijimi i një data-base-i të dhënash me emrat e të gjithë bashkëpunëtorëve, i cili të jetë i hapur për publikun. Shqiptarët duhet të dinë kush kanë qenë ata që kanë spiunuar fqinjin, kolegun e punës, njeriun e familjes”, - tha Balla.

22 Tetor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›