Deputetët e PD-PS-së protestojnë ndaj injorimit që ministri Pollo i bën Kuvendit
Një rast i paprecedent ka ndodhur në historinë e parlamentarizmit shqiptar. Për të tretën herë radhazi një ministër i shmanget raportimit në Komisionin Kuvendor dhe mungesa e tij sjell acarimin jo vetëm të deputetëve të opozitës, por edhe të atyre të maxhorancës. Fjala është për ministrin e Arsimit, Genc Pollo, i cili për të tretën herë radhazi ka injoruar dhe refuzuar thirrjen e bërë nga Komisioni Parlamentar i Edukimit dhe Mjeteve të Informimit Publik në Kuvend për të raportuar rreth dy çështjeve kryesore, që kanë lidhje me fushën e arsimit. Mungesa e tretë radhazi dhe e pajustifikuar e ministrit ka sjellë me të drejtë acarimin e anëtarëve të komisionit, jo vetëm të atyre të opozitës, por edhe nga maxhoranca. Përveçse e kanë cilësuar si një akt të papërgjegjshëm, anëtarët e komisionit kanë vendosur në unanimitet për të thërritur në interpelancë në Parlament ministrin e Arsimit, Genc Pollo. Ai tashmë do të raportojë përpara deputetëve për dy çështje kryesore, që janë situata në shkolla dhe statusi i profesorit.
Kryetarja e Komisionit të Edukimit dhe Mjeteve të Informimit Publik, deputetja e PS-së, Valentina Leskaj, tha se ministri Pollo ka dhunuar ligjin dhe institucionin e Parlamentit.
"Me mosardhjen e tij ministri ka shkelur e dhunuar respektin ndaj institucioneve dhe Parlamentit. Motivet e mungesës së ministrit Pollo nuk janë arsye të qenësishme për të anashkaluar komisionin", - tha Leskaj. Sipas saj, Pollo ishte thirrur për dy çështje shumë të rëndësishme, mbi gjendjen në Arsim dhe “statusin e profesorit”, një çështje kjo që lidhet me shkelje ligjore, pasi ende nuk janë nxjerrë akte nënligjore në ligjin "Për arsimin e lartë", i cili është miratuar një vit më parë.
Edhe kryetari i Grupit parlamentar të PD-së, Astrit Patozi, njëkohësisht anëtar i komisionit, e quajti jonormale mosardhjen e ministrit të Arsimit tri herë radhazi në këtë komision.
"E quaj jonormale mosardhjen në Parlament të zoti Pollo, pavarësisht arsyeve që mund të ketë pasur, të cilat uroj të kenë qenë arsye objektive dhe të qenësishme dhe besoj komisioni nuk mund ta vazhdojë debatin si monolog, pa qenë prezent ministri" – deklaroi deputeti i PD-së Astrit Patozi.
28 Maj 2008