E Shtunë, 31 Tetor 2026

PS dhe LSI, kundër qeverisë për legalizimet

Blushi: “Çështja e territorit po mban peng zhvillimin ekonomik”. Gjikondi: “Presidenti Topi të mbikëqyrë procesin e legalizimeve”

Shaban Sulçe

Opozita vazhdon të kundërshtojë ligjin e ri të legalizimeve, të mbrojtur me aq shumë forcë nga qeveria dhe kryeministri Berisha. Partia Socialiste dhe Lëvizja Socialiste për Integrim kanë paralajmëruar pasoja të rënda sociale për shkak të konceptit të dështuar të qeverisë për të zgjidhur çështjen e legalizimeve në Shqipëri. Shqetësimi i selisë rozë ka ardhur dje nga deputeti Ben Blushi, i cili ka thënë se për të zgjidhur çështjet e territorit duhet një reformë që do të udhëhiqet sipas parimeve universale të së drejtës së pronës dhe jo sipas qëllimeve elektorale të kryeministrit Berisha. Ndërkohë, Lëvizja Socialiste për Integrim, me anë të zëvendëssekretares së Përgjithshme, Brizida Gjikondi, i bëri thirrje Presidentit të Republikës, Bamir Topi, që të mbikëqyrë procesin e legalizimeve.
Blushi
Deputeti socialist, Ben Blushi, së bashku me deputetë dhe drejtues të tjerë të Partisë Socialiste, ka marrë pjesë dje në takimin e fondacionit “Qemal Stafa”, tema kryesore e të cilit ishte “Planifikimi dhe Zhvillimi i Territorit”. Gjatë fjalës së tij në këtë takim Blushi theksoi se çështja e territorit ka nevojë për një zgjidhje reale dhe të suksesshme, pasi ajo përgjatë këtyre 20 viteve është kthyer në gangrenën që pengon zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik të Shqipërisë. “Çështjet e territorit dhe me atë çfarë kanë ndodhur këto vite, duhet konsideruar një krim, ndryshe nga krimet e tjera në kurriz të shoqërisë, do të ketë efekte të parikuperueshme për një kohë të gjatë. Ky është një krim që një brez politik apo shoqëror, nuk merr një zgjidhje të merituar”, - tha Blushi, i cili shtoi se për shkak të zaptimit të territoreve në Shqipëri janë frenuar investimet e huaja dhe ato të brendshme. Deputeti socialist akuzoi kryeministrin Berisha se po bën të njëjtën gjë, ashtu edhe si në vitet 1992-1997, se po abuzon me qëllime politike për çështjet e territorit. Ai kritikoi ligjet e miratuara nga maxhoranca, të cilat, sipas tij, nuk bëjnë gjë tjetër veçse acarojnë marrëdhëniet midis shtetit dhe pronarëve. “Disa ligje apo një meny ligjesh, të cilat do të duhej të merrnin parasysh dhe të garantonin një marrëveshje mes pronarit të tokës dhe shtetit, në përgjithësi nuk kanë harmonizuar me njëra-tjetrën, ose janë administruar keq dhe këto ligje konsistojnë në tri kategori ligjesh për urbanistikën. Ajo që është më e rëndësishmja, këto ligje, duke mos qenë të harmonizuara, duke mos përfaqësuar në kohë dhe hapësirë interesa të përbashkëta, kanë krijuar mosmarrëveshje mes palëve. E kam fjalën për pronarët e ligjshëm dhe shtetin, çka ka krijuar të çara, ku janë shfrytëzuar nga abuzuesit me territore në to. Pse ka ndodhur kjo? Sepse ligjet e urbanistikës thonë se, nëse ke një tokë, mund të ndërtosh mbi atë tokë. Ligji i legalizimeve së fundi thotë se nëse ke një tokë të ligjshme, nuk mund të ndërtosh nëse atë e ka zënë një kalimtar dhe nëse pushteti lokal mendon se kalimtari ka të drejtë”, - tha Blushi.
LSI
Zëvendëssekretarja e Përgjithshme e LSI-së, Brizida Gjikondi, akuzoi dje kryeministrin Berisha se ka dështuar totalisht për të kryer me sukses procesin e legalizimeve. Gjikondi theksoi gjithashtu se të njëjtin dështim qeveria e arriti edhe përsa i përket ligjit për kthimin dhe kompensimin e pronave. Ajo i bëri thirrje Presidentit të Republikës që ta mbikëqyrë me kujdes këtë proces delikat. “Aktualisht procesi i kthimit dhe kompensimit të ish-pronarëve ka hyrë në një kaos dhe kolaps total, po ashtu dhe ai i legalizimeve. Kurrsesi maxhoranca në pushtet s’mund t’i zgjidhë këto fenomene të mbivendosura ndërmjet tyre dhe me të njëjtin akt ligjor. Për të realizuar një ecuri logjike dhe normale të këtyre problemeve madhore që kanë bllokuar dhe mohuar dhe të drejtat më elementare të shqiptarëve duke e shndërruar kështu Shqipërinë në një vend të pasigurt për investime dhe integrim, ne mendojmë se ka ardhur koha që presidenti Topi, përtej deklaratave mediatike, të mbikëqyrë realisht hartimin dhe zbatimin e një legjislacioni specifik dhe bashkëkohor për çështjet e pronave dhe legalizimeve. Mos të harrojmë se të drejtat e pronësisë janë të drejta kushtetuese dhe garant i mbrojtjes së tyre është pikërisht presidenti”, - tha Gjikondi.

Takimi i fondacionit “Qemal Stafa”

Në vazhdim të procesit të konsultimit “Me dyer të hapura”, fondacioni” Qemal Stafa” organizoi tryezën me temë “Planifikimi dhe zhvillimi i territorit”, së bashku me ekspertë, profesionist të pavarur, specialistë të këtyre fushave dhe përfaqësues të shoqërisë civile. Kjo tryezë është e para e serisë së tryezave që fondacioni “Qemal Stafa” do të organizojë për të trajtuar çështjet e zhvillimit të territorit në Shqipëri. Në këtë kuadër, kjo tryezë e parë u kushtohet çështjeve të pronësisë dhe të informalitetit. Drejtori Ekzekutiv i fondacionit “Qemal Stafa” tha gjatë fjalës së tij se ligji i legalizimeve, i miratuar nga maxhoranca, është bërë vetëm mbi bazën e interesave të ngushtë të personave të caktuar dhe në rast se do të miratohet nga Gjykata Kushtetuese, ai do të shfuqizohet në vitin 2009.

28 Maj 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›