E Shtunë, 31 Tetor 2026

Çalik Holding dhe Eagle Mobile 150 mijë euro për të përmbyturit

Autori i Lajmit: RedaksiaDrejtuesit e Çalik Holding dhe Eagle Mobile vizituan dje zonën e prekur nga përmbytjet në Shkodër. Orhan Xhoshkun, President i Çalik Holding për Evropën Juglindore dhe Ballkanin dhe Ali Taskin, Drejtor i Përgjithshëm i Eagle Mobile theksuan se do të bëjnë më të mirën e mundshme për të përshpejtuar shpërndarjen e ndihmave. Po ashtu Xhoshkun dhe Taskin vizituan shtabin e emergjencës ngritur në Prefekturën e Shkodrës. Ata u takuan me ministrat, Lulzim Basha, Sokol Olldashi, Arben Imami, Imami Vasili si dhe deputetin e zonës së Dajçit, Gjok Uldedaj, duke shprehur mbështetjen për kapërcimin sa më të shpejtë të kësaj situate. Në përmbyllje të kësaj vizite, ata iu përgjigjën edhe interesit të medieve që po e ndjekin nga afër situatën. “Ne erdhëm këtu, takuam njerëzit dhe autoritetet dhe ndoqëm nga afër situatën dhe e pamë vetë që banorët janë në një situatë shumë të vështirë. Ne e shohim si detyrë ti ndihmojmë ata dhe mendojmë se është edhe puna jonë të jemi pranë tyre”, - tha Xhoshkun. Ai informoi se janë 150 mijë euro në total për këta qytetarë, 120 mijë euro që do jepen “cash” në llogarinë e hapur për ta, pra në të holla, ndërsa 30 mijë euro të tjera do të jepen në formë ushqimesh për zonat e prekura, për ata që kanë nevojë. “Përfitojmë nga rasti tu themi “të shkuara” gjithë banorëve të kësaj zone dhe të urojmë që kjo situatë e rëndë të kalojmë sa më shpejt. Ne ju garantojmë si Çalik Holding së bashku me tre kompanitë në Shqipëri që do bëjmë gjithçka që kemi në dorë tua lehtësojmë vështirësinë këtyre njerëzve”, - përfundoi Xhoshkun. Kurse Taskin tha se Eagle Mobile, krahas ndihmës së dhënë, i jep një rëndësi të veçantë shërbimit në këtë zonë.

Ky lajm është publikuar: 12/01/2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›