E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mbyllet tuneli i Kalimashit, shkak punimet

 

Duke nisur nga dita e diel, tuneli i Kalimashit do të mbyllet. Shkak janë punimet. Kështu është shprehur dje në një deklaratë për media, Ministri i Transporteve Sokol Olldashi. “Tuneli do të mbyllet me qëllim që t’i jepet mundësi kompanisë ndërtuese të përfundojë instalimin e pajisjeve elektromekanike, të domosdoshme për funksionimin e tij, si dhe për të sistemuar presionin e krijuar nga një shtresë gjeologjike jo e qëndrueshme, në një segment të vogël, një situatë kjo e paparashikuar për të cilën kontraktori po punon në vijimësi”, tha ai. Sipas tij, duke qenë se punimet do të kryhen në të dy tubat, kalimi në segmentin Rreps-Kalimash do të jetë i pamundur për një periudhë disajavore. “Kalimi do të bëhet pjesërisht përmes aksit të vjetër rrugor, në drejtimin Morin-Kukës-Shpal-Rreps-Rrëshen-Milot dhe anasjelltas. Drejtoria e Përgjithshme e Rrugëve ka marrë të gjitha masat e nevojshme për mirëmbajtjen e aksit rrugor Shpal - Kalimash”, tha ai. Autostrada Durrës-Kukës-Morinë, 170 kilometra e gjatë, që u vu në punë më 25 qershor 2009. Pjesë e autostradës Durrës-Morin është dhe tuneli Thirrë-Kalimash, në segmentin Rrëshen-Kalimash. Tuneli Thirrë- Kalimash dhe anasjelltas, i hapur në një masiv shkëmbor, ka dy hyrje veriore dhe jugore, me gjatësi 5.6 kilometra secila.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›