Bojkoti i PS, Britania kundër
ADI SHKEMBI
Faktori ndërkombëtar del kundër vendimit të opozitës për të bojkotuar Parlamentin deri në hetimin e plotë të zgjedhjeve të 28 qershorit. Një ditë pasi kreu i prezencës së OSBE-së në Tiranë, Robert Bosch deklaroi se institucioni ku duhet bërë debati politik është Parlamenti, pro këtij deklarimi shprehet edhe Britania e Madhe. Ambasadorja e Mbretërisë së Britanisë, Fiona McIlwham tha dje në një prononcim për mediat se ka të njëjtin qëndrim me atë të misionit të OSBE-së. “Përsa i përket bojkotit të opozitës ka pasur një deklaratë të OSBE-së një ditë më parë dhe ne jemi dakord me atë qëndrim”, u shpreh McIlwham. Këto qëndrime të faktorit ndërkombëtar vijnë në një moment kur Partia Socialiste, jo vetëm është e vendosur të mos shkojë në Kuvend, por ka lënë të kuptohet se do të zhvillojë edhe protesta në kuadër të plotësimit të shtatë kushteve të saj. Ndonëse është duke u pritur raporti përfundimtar i misionit të ODIHR-it, për zgjedhjet e 28 qershorit, faktori ndërkombëtar ka pasur qëndrime të ndryshme lidhur me procesin e fundit zgjedhor. Vetë ambasadorja e Britanisë së Madhe deklaroi pak ditë më parë se në zgjedhjet e fundit ka pasur parregullsi dhe kjo sipas saj është zhgënjyese për një vend anëtar të NATO-s. “Siç e kanë theksuar raportet paraprake të ODIHR, ka pasur parregullsi - probleme parazgjedhore me politizimin e strukturave shtetërore dhe pas ditës së zgjedhjeve, tension, ndërhyrje dhe vonesa në procesin e numërimit. Kjo është zhgënjyese, sidomos për një vend të sapoanëtarësuar në NATO dhe një vend aspirant për në BE. Dhe ky është shqetësim për mua dhe qeverinë time, që presim me padurim të shohim plotësimin e ambicies së Shqipërisë për anëtarësim në BE”, deklaroi McIlwham pak ditë më parë. Të njëjtin qëndrim ka pasur edhe ambasadori gjerman, Bernard Boschard, sipas të cilit “gjatë procesit të numërimit vëzhguesit vlerësuan se numërimi ishte i keq, ose shumë i keq në 1/3 e qendrave të numërimit. Kjo ishte më keq se në 2007-n, kur më pak se ¼ e qendrave të numërimit u kritikuan për këtë gjë. Një çështje tjetër problematike janë raportimet për largimin nga puna në sektorin publik të militantëve, zyrtarëve dhe vëzhguesve zgjedhorë të Partisë Socialiste. Përsa i përket një deklarate të përgjithshme mbi zgjedhjet jemi në pritje të raportit përfundimtar të ODIHR-it”, - është shprehur Boschard. Por ndryshe nga diplomatët e huaj në vendin tonë, komisioneri për Zgjerimin në Bashkimin Evropian, Oli Rehn theksoi pak ditë më parë se zgjedhjet megjithëse kishin mangësi ishin më të mira se ato të katër viteve më parë.