E Shtunë, 31 Tetor 2026

Deputetët e PS përjashtohen nga aktivizimi në fushatë elektorale

Nga L.Progni

Deputetët e PS nuk do të jenë pjesë e asnjë shtabi elektoral, as në qendër, në rajon apo në rreth. Ata e kanë “lexuar” këtë përjashtim nga aktivizimi në fushatë si një përjashtim nga lista e kandidimit për deputetë. I njëjti penalizim është edhe për anëtarët e Asamblesë Kombëtare të PS, të cilët gjithashtu nuk do të jenë pjesë e shtabeve elektorale. Ky vendim është publikuar dje në mbledhjet e organizuara nga shtabi qendror elektoral me shtabet e qarqeve dhe rretheve. Kryetari i Asamblesë Kombëtare të PS ka shpërndarë dje manualet me mënyrën se si do të organizohet fushata elektorale. Në manual komunikohet vendimi, i cili përjashton nga angazhimi konkret deputetët socialistë dhe anëtarët e Asamblesë Kombëtare, jo vetëm në zonat e tyre, por edhe në qarqe të tjera. Deputetët socialistë dhe anëtarët e Asamblesë do të jenë në dispozicion të shtabit të qarkut për të dhënë ndihmë sikur të ishin anëtarë të thjeshtë të partisë, pasi nuk do të kenë asnjë funksion konkret në fushatën elektorale. Në shtabet elektorale të rajoneve dhe rretheve janë të përfshirë vetëm anëtarët e kryesisë dhe sekretarët rajonalë, të cilëve iu bashkëngjiten edhe koordinatorë të ndryshëm, të cilët kryesisht vijnë nga qendra. Bashkë me ta do të jenë të përfshirë në shtabin elektoral edhe anëtarë të shoqërisë civile në qarqe. Ndërsa në qarqet e rretheve do të bëjnë pjesë të zgjedhurit vendorë. Shtabet e rretheve koordinohen dhe drejtohen nga shtabet e qarqeve.

Përbërja e shtabeve rajonale

Drejtuesit e PS në qarqe kanë marrë dje në dorë skemën, sipas të cilës do të organizohet shtabi elektoral i PS, në qarqe dhe rrethe. Atje mungojnë deputetët, ndërsa pjesë aktive e fushatës do të jenë koordinatorët dhe përfaqësuesit e shoqërisë civile. Edhe anëtarët e Asamblesë Kombëtare të PS nuk do të jenë pjesë e shtabeve elektorale. Në shtabet elektorale të qarqeve ose rajoneve do të jenë të përfshirë sekretari rajonal, kujdestari politik që është anëtari i Kryesisë, një numër koordinatorësh politikë, elektoralë, ku përfshihen koordinatori për gruan, për FRESH, si dhe një koordinator influence, emër i cili do të vijë nga Tirana. Është pikërisht koordinatori i përgjithshëm ai që do të kontrollojë mbarëvajtjen e punës në shtabin rajonal elektoral dhe më pas raporton në shtabin qendror në Tiranë, hap pas hapi gjatë fushatës. Anëtari i Kryesisë, i cili do të jetë në rolin e kujdestarit politik, koordinon pjesën më të madhe të punës, i mbështetur edhe nga sekretari i qarkut. Rolin kryesor në fushatë do ta ketë pikërisht koordinatori, i dërguari i kryetarit nga qendra në shtabet rajonale. Në këtë mënyrë, koordinatori i përgjithshëm i fushatës, i cili vjen nga Tirana në çdo rajon, kontrollon punën në tërësi, duke shmangur çdo mundësi të atyre anëtarëve të Kryesisë së PS për të devijuar nga çfarë është e përcaktuar në skemën e Ramës për fushatën elektorale. Pjesëtarët e shtabeve elektorale në qendër, rajon dhe rreth, do të jenë pjesa me të cilën Rama përfaqësohet në këtë fushatë, dhe për pasojë prej këtij ekipi do të dalë edhe lista e kandidatëve për deputetë të PS, gjithnjë në bazë të kontributeve të secilit.

Reagimi

Të njëjtin fat pësojnë edhe anëtarët e Asamblesë Kombëtare, për të cilët ishte rasti më i mirë për t’u familjarizuar me elektoratin socialist. Anëtarët e Asamblesë Kombëtare të PS, prej nga dhe mendohej të vinte një pjesë e mirë e listës së kandidimit, duket se do të shfaqin pakënaqësitë e tyre për shmangien që iu bëhet në fushatë. Deputetët e PS, të cilët që tani ndjehen të përjashtuar nga aktivizimi dhe shumë të rrezikuar për të qenë pjesë e listës së kandidatëve për deputetë, kanë ende mundësi të rishikojnë pozicionin e tyre, ndoshta për të marrë rrugën drejt ndonjë strehe tjetër larg Ramës. Burimet pranë grupit parlamentar thanë dje se brenda grupit të deputetëve janë shfaqur reagime të forta për vendimin që i përjashton ata nga shtabi elektoral dhe aktivizimi në fushatë elektorale. Deputetët e PS, jo vetëm që janë të përjashtuar nga shtabet elektorale, por janë gjithashtu të urdhëruar të sillen me zonat e tyre sikur nuk janë deputetë të këtyre zonave, por do të duhet të merren me punët e partisë në të gjithë qarkun dhe jo vetëm me zonën e tyre, por ata do të jenë gjithnjë pjesë e fundit e lojës, vetëm nëse do të duhet aktivizimi i tyre. Ky funksion është i vlefshëm për çdo anëtar partie.

Përbërja e shtabeve elektorale dhe përjashtimi i deputetëve pritet të sjellë edhe reagimin e bazës së PS. Burime pranë grupit parlamentar thanë dje se emrat që Rama ka zgjedhur të delegojë në bazë për organizimin e fushatës elektorale, nuk do të mund të “miqësohen” me bazën e partisë deri në atë pikë sa të garantojnë fitoren në zgjedhje. Kjo duket se nënkupton edhe një kërcënim të deputetëve socialistë, (ata që kanë pak shpresa për të qenë pjesë e listës së kandidimit) ndaj kryetarit Rama, për mundësinë e sabotimit të fushatës në zonat ku ata janë deputetë dhe kanë ende influencë. Sapo të bëhet e njohur lista e të përjashtuarve dhe të angazhuarve, pritet që të shfaqen edhe reagimet e para publike të deputetëve, prej nga dhe nis pikërisht misioni i tyre sabotues, për shkak të përjashtimit nga angazhimi dhe për pasojë edhe nga kandidimi.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›