E Shtunë, 31 Tetor 2026

Korfuzi duhet ndihmuar

Nga Besnik Manushi

Në një largësi kaq të vogël për një turist të huaj në Korfuz, ishulli i madh do ishte e vështirë të dallohej se kujt i përkiste, Greqisë apo Shqipërisë. Korfuzi është një nga brinjët e trekëndëshit jonian, ku me dy brinjët e tjera, veriun e Greqisë dhe jugun e Shqipërisë, përbëjnë parajsën joniane. Gjithçka fillon dhe mbyllet në këtë trekëndësh, bukuritë, mahnitja por herë-herë edhe historia. Korfuzi, një strehë ideale për të gjithë ka fshehur aty bukuritë e Mesdheut dhe heronj të Mesdheut. Shpesh aty janë strehuar figura historike si Marko Boçari, kur ky kishte probleme me pjesën tjetër të trekëndëshit, i cili, para se të largohej nga ky vend, la një amanet. Anglezët, duke përfituar nga dehja e banorëve të vetë ishullit, për një kohë të gjatë ia lanë ishullin Greqisë, njësoj si Izraelit Palestinën, e cila si Korfuzi ishte një protektorat, të cilit nuk iu mor leja për një veprim të tillë. Kjo më tepër se gjithçka i jep të drejtë këtyre dy territoreve të ngrihen mbi presionin ndërkombëtar të heshtjes dhe të belbëzojnë mendimin e tyre. Duke mos i përkitur kurrë steresë (pjesës tokësore), ai ka qenë rrallë pjesë e tokës dhe kjo, kur ka ndodhur, ka qenë vetëm për një kohë të shkurtër. Është një spot aq i bukur, sa nuk i takon kujt përveç vetvetes dhe vetë vendasve.

Vendi po kalon një dilemë të rëndë, pasi ka të bëjë me një xhelozi të ardhurash që iu faturohet politikave aspak çudibërëse, por të çuditshme të Athinës kundrejt ishullit. Në fakt, të ardhurat janë në raport të zhdrejtë me investimet në Korfuz. Nëse Korfuzi jep 20 miliardë euro, atëherë kjo do të thotë që dhe investimet publike duhet të jenë më të mëdha, sepse kjo do mirëmbante infrastrukturën, e cila prodhon këto miliarda apo dhe që i shton ato. Nëse buxheti i Greqisë është i grisur për halle të tjera, nuk mund të mbahet Korfuzi me arna hallesh dhe frapeje burokratike të Athinës. Kësaj i thonë të penalizosh Mesdheun. Ne kemi dëshirë që përrallat joniane të jenë një monument natyror i tërë i mbrojtur dhe jo diku i ruajtur dhe diku i paruajtur. Ne duhet të sakrifikojmë gjithçka për t’i përgatitur ato për një të ardhme gjithmonë e më të artë. Nëse Athina nuk i menaxhon si duhet të ardhurat e Korfuzit, atëherë i takon Korfuzit të fillojë dhe të mendojë për to në mënyrën më të leverdisshme të korfuzianëve. Kjo marrëdhënie e re me burimet natyrore çon në vetvete në logjikën që ata këmbëkryq kanë zgjedhur. Autonomia e tyre do bënte që shumë të ardhura të këtij ishulli të mos ishin një oportunitet vetëm për ishullin vetë, por dhe për gjithë atë pjesë gjeografike që ka një lidhje natyrore të pashmangshme që gërshetohet si nyje nevralgjike. Në fakt, bregdeti i jugut të Shqipërisë dhe i veriut të Greqisë nuk kanë asnjë lidhje me zona të tjera gjeografike përveç trekëndëshit që përmendëm dhe Korfuzi do jetë shumë i interesuar që të zhvillonte politika të zgjerimit të itinerareve turistike dhe këtë mund ta bëjë vetëm në tokën matanë Ishullit. Kjo do sillte një mal të ardhurash dhe investimesh në infrastrukturë turistike në bregdetin tonë, të ardhura që nuk do kishin protagonist as qeverinë qendrore dhe as atë lokale, por një zonë të tërë, e cila nuk mund të jetë vetëm se një trung ekonomik, një trup me pjesë të tilla që në mungesë të njërës pjesë të mos funksionojë e gjitha.

Autonomia e Korfuzit duhet mbështetur dhe përkrahur jo si një lëvizje separatiste, siç do i vinte nëpër trurin e shpuar një qeveritari grek, por si një mundësi që i jepet gjithë atij rajoni për t’u ndjerë si kahera një trup ekonomik dhe etnokulturor. Korfuzi është procesi i vërtetë i atij rajoni. Natyrisht që autonomia do ketë reagimin e menjëhershëm të makinerisë proces-bllokuese të Athinës dhe mund të përsëritet një rrezikshmëri bllokade si ekonomike, dhe burimesh jetike që mund ta vinte në vështirësi ishullin njësoj siç bëri Serbia presion mbi Kosovën. Për këtë arsye në interes të bregdetit tonë jugor ne duhet të jemi të gatshëm ta furnizojmë Korfuzin me ujin e Bistricës, sepse uji është thembra e Akilit e perlës joniane. Kjo do e rigjallëronte dhe progresonte Korfuzin. Për vende si Dhërmiu, Himara, Borshi, Saranda, Ksamili, Butrinti, Sagiada, Igumenica, Sivota e mrekullueshme, Parga etj., ky do ishte fillimi i një rruge pa kthim dhe të begatshme.

Natyrisht, Athina ka interesa të tëra që i prishen, por ne nuk duhet të mendojmë shumë për Athinën sesa duhet të mendojmë për bregdetin elitar që kanë rajoni jonian këtu lart nga Athina e aty poshtë nga Tirana, prandaj Korfuzi duhet përkrahur në mënyrë të pa kursyer për nismën e tij.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›