Mbyllja e hetimit për Trebickën s’do shuajë dyshimet për të
Berlin - Hetimi për vdekjen e një denoncuesi në Shqipëri duket se po i afrohet fundit, por me shumë pak shpresa për të shuar dyshimet dhe spekulimet që e rrethojnë këtë çështje.
Denoncuesi, Kosta Trebicka, zbuloi dëshmi të korrupsionit publik në eksportin e municionit të periudhës komuniste. Akuzat e tij u pasuan nga arrestime në Shqipëri dhe padi ndaj punonjësve të një kompanie tregtare armësh në SHBA, por vetëm pas një shpërthimi në depon e municionit në Gërdec, ku u vranë 26 vetë, mes tyre edhe fëmijë.
Zoti Trebicka, 48 vjeç, dëshmitar në hetimet për shpërthimin, një tragjedi kombëtare në Shqipëri, u gjet i vdekur muajin e kaluar në një rrugë malore, afër makinës së tij.
Hetimet për vdekjen e tij vetëm rutinë nuk kanë qenë. Mijëra qytetarë iu bashkuan një proteste të opozitës që bënte thirrje për hetim të drejtë. Një ekspert aksidentesh nga policia e shtetit të Virxhinias, Kevin J. Teter, u thirr për të ndihmuar hetimin dhe është bërë i njohur në Shqipëri.
Lajmet e mbërritura në mediat shqiptare thonë se zoti Teter arriti në përfundimin në raportin e tij për prokurorët lokalë se zoti Trebicka kishte vdekur nga një aksident, një rezultat që është vënë në dyshim nga të njëjtat media vendase.
Nëse vdekja e zotit Trebicka ishte rezultat i një aksidenti apo diçka më djallëzore, reagimi publik tregoi sesa pak besim kanë qytetarët e këtij vendi të vogël e të varfër evropian tek autoritetet pas disa dekadash shtypjeje staliniste që u pasuan nga vite korrupsioni të përditshëm.
Shpërthimi vdekjeprurës, hetimi për korrupsion që pasoi dhe pastaj vdekja e papritur e një dëshmitari të rëndësishëm ngrenë pikëpyetje për aleatë si SHBA që e kanë përkrahur me forcë kërkesën e Shqipërisë për anëtarësim në NATO. Bashkimi Evropian ka punuar gjithashtu për të ndërtuar institucione dhe shoqëri civile në Shqipëri me synim anëtarësimin e saj.
Marjana Papa, drejtoreshë e “Transparency International Albania”, një organizatë jofitimprurëse antikorrupsion, tha se problemi i korrupsionit nuk duhet nënvlerësuar. “Nuk është vetëm korrupsioni i vogël, ryshfeti që japin njerëzit. Është një problem sistemi.”
Megjithëse qeveria ka rritur presionin për të ndëshkuar disa raste korrupsioni, problemi ka vazhduar, dhe pjesa më e madhe e reformave janë bërë me presion nga jashtë, veçanërisht nga BE.
Por, krahasuar me anarkinë në fund të viteve ‘90, pas rrëzimit të piramidave që iu vodhën shqiptarëve miliona nga kursimet e tyre, vendi është shumë më i qëndrueshëm. BE ka punuar shumë me qeverinë shqiptare për ligjet për të reformuar policinë, prokurimet publike dhe gjyqësorin.
“Konkluzioni i përgjithshëm i Komisionit Evropian është i qartë se ka progres, por shumë, shumë më tepër progres duhet në të ardhmen”, - tha Helmuth Lohan, kreu i delegacionit të Komisionit Evropian në Shqipëri.
Por vdekja e zotit Trebicka e ka dëmtuar besimin deri tani të lëkundur te sistemi ligjor. “Njerëzit janë të nervozuar për shkak të kësaj dhe kjo dëmton raste të tjera, sepse njerëzit nuk do të dëshmojnë”, - tha një pjesëtar i komunitetit ligjor në Shqipëri që nuk kishte leje të fliste publikisht për këtë problem.
“Çfarë ndodhi, nuk e di, por ka shenja se njerëzit po hezitojnë të dëshmojnë dhe, ngaqë hetimet dhe gjyqet shqiptare janë të brishta, ky është një problem real.”
Një zëdhënëse e Prokurorisë së Përgjithshme në Tiranë tha se zoti Trebicka “nuk i ka shprehur kurrë Prokurorisë së Përgjithshme shqetësim për sigurinë e jetës së tij në lidhje me këtë çështje”, sipas një përgjigjeje me shkrim për pyetje të drejtuara zyrës së saj.
Tre persona janë ende në arrest nën hetim në lidhje me tregtinë e municionit dhe shpërthimin e depos së çmontimit, sipas zëdhënëses. Ish-ministrit të Mbrojtjes, Fatmir Mediu, i është hequr imuniteti, por nuk është paditur për asnjë krim, sipas deklaratës.
“Si mund të lini një dëshmitar kaq të rëndësishëm pa mbrojtje, pa e mbikëqyrur?” - pyet Eduard Shalësi, nënkryetar i Bashkisë së Tiranës, dhe anëtar i socialistëve në opozitë. Zoti Shalësi e njihte zotin Trebicka dhe e pa dy ditë para vdekjes. “Ne kemi detyrime ndaj këtij personi që pati kurajë të fliste”, - tha ai.
Zoti Trebicka iu kishte thënë disa herë miqve dhe gazetarëve se kishte frikë për jetën e tij, pas denoncimit të operacionit.
Zoti Trebicka iu dha “New York Times” dhe hetuesve amerikanë dëshmi që AEY Inc, kompani amerikane, kishte blerë fishekë kinezë dhe i kishte ripaketuar në arka pa shenja për të fshehur origjinën që kështu t’iu shiteshin forcave ushtarake dhe policore afgane. Prokurorët federalë i kanë akuzuar krerët e AEY për shitje të paligjshme të municionit kinez ushtrisë amerikane që e shpërndante në Afganistan.
Kompania punësoi zotin Trebicka, biznesmen shqiptar, për të bërë ripaketimin. Ai tha se kishte dyshuar që pará nga shitja e municionit jepeshin për zyrtarët shqiptarë, përfshi zotin Mediu dhe drejtorin e agjencisë shqiptare të eksportit të armëve, Ylli Pinari.
Zoti Trebicka tha se, sapo shprehu shqetësimin e tij për ministrinë e Mbrojtjes, e humbi kontratën. Ai incizoi një bisedë telefonike me presidentin e AEY, Efraim E. Diveroli, në të cilën thoshte se korrupsioni ngjitej deri lart te kryeministri shqiptar, Sali Berisha dhe djali i tij. Mediat lokale raportuan se një ish- bodyguard i zotit Berisha, tani në Ministrinë e Brendshme, luajti një rol të rëndësishëm në hetim.
Telefonatat dhe e-mail-et drejtuar një zëdhënësi të kryeministrit nuk morën përgjigje. Një zyrtar i Ministrisë së Brendshme na përcolli për te prokurorët lokalë, të cilët refuzuan të bënin komente, përveçse thanë që nga fundi i javës do të dilte raporti.
Pas vdekjes së zotit Trebicka, autoritetet shqiptare kërkuan asistencë teknike përmes ambasadës amerikane. Sipas Sgt. Les Tyler, supervizori i zotit Teter në policinë e Virxhinias, zoti Teter nuk mund të fliste për çështjen, por ai e konfirmoi pjesëmarrjen e zotit Teter në hetim. “Ai mori pjesë në hetim dhe vëzhgoi atë çfarë ata kishin hetuar deri tani”, - tha zoti Tyler.
“Me sa di unë, shërbimi ynë ka përfunduar në këtë çështje.”
Një gazetë e përditshme, “Gazeta Shqiptare”, botoi një përkthim në shqip të atij që gazeta tha se ishte raporti i zotit Teter, që e kishte siguruar nga policia në Korçë. Artikulli thoshte se makina e zotit Trebicka ishte përmbysur, duke e flakur atë jashtë.
“Njerëzit nuk e besonin qeverinë gjatë kohës së komunizmit”, - tha Elsa Ballauri, që kryeson grupin e Të drejtave të Njeriut në Tiranë, duke iu referuar diktatorit stalinist Enver Hoxha, që vdiq në 1985. “Është normale të mos besojnë.”
* Titulli është redaksional. Titulli në origjinal “Hetimi për vdekjen e një dëshmitari në Shqipëri mbulohet nga spekulimet”