E Shtunë, 31 Tetor 2026

Deputetët e PS-së ankohen për pagat



“Pagat e deputetëve janë vonuar, sepse kryetarja e Parlamentit nuk ka firmosur për shkak të samitit të Zvicrës”. Ky ishte informimi që nënkryetari i grupit parlamentar, Erion Braçe, u bëri deputetëve socialistë. Këta i kishin kërkuar më parë nënkryetarit të grupit të tyre parlamentar të hynte në kontakt me drejtorinë e trajtimit të deputetëve dhe sekretarin e përgjithshëm të Kuvendit për çështjen e vonesës së pagave. Në mbledhjen e djeshme, Braçe u tha deputetëve të gjitha kontaktet që kishte pasur për këtë çështje, madje dhe përgjigjen e çuditshme që kishte marrë prej financave të Kuvendit, të cilët më parë ishin shprehur se kryetarja e Parlamentit nuk firmos paga, por vetëm ligje, ndërsa, sipas Braçes, ishin justifikuar se vonesa me pagat e deputetëve vinte për shkak të mungesës së Topallit në Shqipëri, si rezultat i vizitës së saj në samitin që është duke u zhvilluar në Bernë të Zvicrës. Braçe mësohet të ketë thënë se “si anëtar i Sekretariatit për Buxhetin në Parlament më duhet t’ju informoj se i kam kërkuar drejtoreshës së Financave, por dhe sekretarit të Përgjithshëm për arsyen e vonesës së pagës së deputetëve. Përgjigja e tyre ishte se mungon kryetarja e Parlamentit, e cila ndodhet në një samit jashtë shtetit, për të firmosur urdhrat për pagat”. Ndërsa deputeti Arben Malaj mësohet të ketë kërkuar për zgjidhjen e këtij ngërçi dhe ndërhyrjen e nënkryetarit socialist të kuvendit, Namik Dokle.
“Unë mendoj, - mësohet të ketë thënë Malaj, - t’ia lëmë këtë çështje shokut Namik, i cili ndodhet me zonjën Topalli në këtë samit dhe të ndërmjetësojë për zhbllokimin e kësaj situate aspak të hijshme për një Parlament demokratik”. Pagat e deputetëve nuk janë kaluar në llogaritë e tyre bankare si për deputetët e maxhorancës, ashtu dhe për ata të opozitës. Por deputetët socialistë kanë vazhduar edhe këto ditë të depozitojnë paditë e tyre civile ndaj institucionit të Kuvendit për përgjysmimin e pagës së tyre që prej 25 shkurtit, kur ata kanë bërë betimin në Kuvend. Llogaritet që, prej 25 shkurtit 2010, kur deputetët socialistë bënë betimin në Kuvend dhe për ta filloi trajtimi financiar, atyre t’u mungojnë nga të ardhurat personale, ku përfshihen: paga, pagesat e celularit dhe karburanti, rreth 250 mijë lekë të rinj për secilin prej tyre. Deputetët ankohen se ky mohim i pagës dhe shpërblimeve që u takon të marrin nga Kuvendi, institucioni i vetëm në të cilin kanë të drejtë sipas ligjit të punojnë, ka vështirësuar ushtrimin e aktivitetit të tyre si deputetë. Ata nuk kanë pasur të gjitha mjetet e nevojshme financiare për të lëvizur në zonat e tyre dhe të komunikojnë me elektoratin.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›