E Shtunë, 31 Tetor 2026

SHISH, PS: Bashkojmë votat me LSI për të rrëzuar ligjin



Aristir Lumezi

PS thërret në Tiranë deputetët që ndodhen jashtë shtetit që të jenë prezentë në seancën e sotme për ligjin e SHISH-it. Deputetët Andis Harasani, Fidel Ylli, Vangjel Tavo dhe Rudina Seseri janë lajmëruar nga kreu i grupit të deputetëve që të jenë në Tiranë në seancën e sotme, kur maxhoranca ka vendosur të kalojë për votim ligjin për SHISH-in. Këtë qëndrim kreu i grupit ua ka komunikuar deputetëve të tij në lidhje me seancën e sotme dhe përgatitjet që socialistët duhet të bëjnë për një listë të gjatë projektligjesh dhe kodesh që janë përfshirë në seancën e sotme. Mësohet se kreu i grupit të deputetëve, Ruçi, ka thënë se “në axhendën e ditës së nesërme janë parashikuar disa projektligje dhe kode, ndër të tjera maxhoranca ka rifutur pa asnjë ndryshim dhe diskutim projektligjin për SHISH-in. Qëndrimi ynë për votimin e projektligjeve nuk ka ndryshuar, ndërsa për ligjin e SHISH-it do kërkojmë që ai të tërhiqet, pasi për sa kohë nuk është diskutuar dhe janë përfshirë vërejtjet e bëra dhe nga sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, ai nuk mund të votohet. Miratimi i këtij ligji do të fuste në krizë marrëdhëniet e vendit tonë me NATO-n dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të cilët kanë kërkuar që ai të amendohet. Por ka sinjale se maxhoranca do ta tërheqë atë, por unë dyshoj tek kjo gjë dhe ata mund ta çojnë drejt votimit”. Deputeti Arben Malaj ka propozuar të merret në konsideratë dhe qëndrimi kundër i LSI-së për ligjin e SHISH-it dhe ky qëndrim, sipas Malajt, duhet shfrytëzuar nga PS për ta rrëzuar atë. “Unë mendoj, - mësohet të ketë thënë Malaj në mbledhjen e grupit, - se për sa kohë që dhe LSI ka shprehur votën kundër këtij ligji, pasi në të nuk janë marrë parasysh vërejtjet e NATO-s, ne të votojmë kundër tij, duke e rrëzuar atë bashkë me votat e LSI-së”. Kreu i grupit të deputetëve e ka vlerësuar këtë propozim si një nga opsionet e sjelljes së opozitës në kuvend për këtë ligj. “Edhe kjo mundësi nuk përjashtohet dhe për këtë unë kam lajmëruar të gjithë deputetët, edhe ata që ndodhen jashtë shtetit që të jenë prezentë në seancën e nesërme. Në çdo situatë, ne nuk duhet të lejojmë votimin e këtij ligji”, mësohet të jetë shprehur Ruçi.
Burime nga PD pohojnë se maxhoranca do ta tërheqë projektligjin e SHISH-it nga rendi i ditës së seancës së sotme, duke e justifikuar përfshirjen e tij në rendin e ditës si një procedurë që ndodh gjithmonë për projektligje që janë tërhequr më parë dhe që rifuten në seancën e fundit parlamentare për sesionin e verës.
Qëndrimi
Socialistët nuk kanë ndryshuar qëndrim lidhur me projektligjet e tjera, apo kodet që mbledhja e kryetarëve ka përfshirë në rendin e ditës të seancës së sotme. Kreu i grupit parlamentar Ruçi u përsëriti dje deputetëve vendimin e tyre politik për të mos votuar asnjë ligj, me shumicë të thjeshtë apo të cilësuar deri kur të garantohet transparenca e plotë e zgjedhjeve të 28 qershorit. Deputetët kanë përcaktuar diskutantët për secilin nga draftet që janë sot në rendin e ditës, por nuk do të marrin pjesë në votimin e tyre. Janë rreth 20 projektligje që janë përfshirë në seancën e sotme të Parlamentit, shumica e të cilave kërkon shumicë të cilësuar, siç janë ligji për ngritjen e Gjykatës Administrative, por dhe disa kode të Republikës së Shqipërisë.
Njëkohësisht pritet të miratohet edhe projektligji për disa ndryshime në ligjin për kthimin dhe kompensimin e pronave, një propozim i deputetit Enkelejd Alibeaj, por që opozita është shprehur se do e dërgojë në Gjykatën Kushtetuese.

Rendi i ditës i seancës së sotme

1. Projektligj “Për ratifikimin e marrëveshjes ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Sllovenisë për shkëmbimin dhe mbrojtjen reciproke të informacionit të klasifikuar”.
2. Projektligj “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 8668, datë 23.11.2000, ‘Për pajisjen e shtetasve me pasaportë për jashtë shtetit’, të ndryshuar”.
3. Projektligj “Për disa ndryshime në ligjin nr. 9720, datë 23.4.2007, ‘Për auditimin e brendshëm në sektorin publik’”.
4. Projektligj “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 9741, datë 21.05.2007 ‘Për arsimin e lartë në Republikën e Shqipërisë’, të ndryshuar”.
5. Projektligj “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 8391, datë 26.10.1998 ‘Për Shërbimin Informativ të Shtetit’, të ndryshuar”.
6. Projektligj “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 9235, datë 29.07.2004 ‘Për kthimin dhe kompensimin e pronës’, të ndryshuar”.
7. Miratimi i aktit normativ nr. 3, datë 8.7.2010 “Për disa ndryshime në ligjin nr. 9643, datë 20.11.2006 ‘Për prokurimin publik’, të ndryshuar”.
8. Projektligj “Për gjykimin e Mosmarrëveshjeve Administrative dhe Organizimin e Drejtësisë Administrative”.
9. Projektligj “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 7895, datë 27.1.1995 ‘Kodi Penal i Republikës së Shqipërisë’, të ndryshuar”.
10. Projektligj “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 7850, datë 29.7.1994 ‘Kodi Civil i Republikës së Shqipërisë’, të ndryshuar”.
11. Projektligj “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 8378, datë 22.7.1998, ‘Kodi Rrugor i Republikës së Shqipërisë’, të ndryshuar”.
12. Projektligj “Për një ndryshim në ligjin nr. 9317, datë 18.11.2004 ‘Kodi Hekurudhor i Republikës së Shqipërisë’”.
13. Projektligj “Për disa ndryshime në ligjin nr. 8449, datë 27.01.1999 ‘Kodi Doganor i Republikës së Shqipërisë’, të ndryshuar”.
14. Projektligj “Për një shtesë në ligjin nr. 10.040 datë 22.12.2008 ‘Kodi Ajror i Republikës së Shqipërisë’”.
15. Projektligj “Për një ndryshim në ligjin nr. 9251, datë 8.7.2004 ‘Kodi Detar i Republikës së Shqipërisë’”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›