Deputetët e PS-së, në seancë për të votuar kalendarin
Selia rozë pritet të mbledhë sot në orën 10:00 grupin e saj parlamentar për të marrë zyrtarisht një vendim nëse do jetë në seancën e pasdites. Grupi parlamentar, pasi bëri betimin javën e shkuar dhe dorëzoi dy nisma ligjore, pritet të vendosë sot nëse do jetë pjesë e seancës, të paktën deri sa të njihet me fatin e tyre. Konkretisht, konferenca e kryetarëve të dy ditëve më parë vendosi që të diskutojë për dy nismat ligjore në seancën e datës 18 mars, çka lë pezull edhe pjesëmarrjen ose jo të grupit parlamentar socialist në Parlament. Sakaq, Partia Socialiste nuk tërhiqet nga kërkesa e saj për hapjen e kutive. Edhe dje deputeti socialist, Fatmir Toçi, ripërsëriti sfidën e socialistëve, atë të hapjes së kutisë së Ruzhdies. Një prej zonave zgjedhore më të debatuara në ditët e fundit. “Qeveria e Ruzhdies t’i lërë lojërat e fjalëve dhe të hapë para popullit kutinë e Ruzhdies, ku ankohet se ka humbur mandatin. Nëse në atë kuti nuk del ajo që ne themi, për shumë kuti të tjera, atëherë ne tërhiqemi, por nëse nga Ruzhdia del dora që ka vjedhur zgjedhjet në 28 qershor, atëherë ose do hapen Ruzhdiet e tjera, ose apeli ynë për popullin do të jetë largimi i qeverisë së votave të vjedhura. Shqipëria s’mund të bëhet si Ruzhdia, por duhet të bëhet si Europa”, nënvizoi Toçi. Përmbajtja e objektit të hetimit parlamentar ka lidhje me çështje të tilla si mungesa e zbatimit të ligjit në lidhje me procesin e numërimit dhe vlerësimit të votave, procesin e parregullt të votimit në qendrat e votimit, mangësitë e konstatuara në përdorimin e teknologjisë mbështetëse të monitorimit në procesin e numërimit të votave. Të tjera synime kanë të bëjnë me përdorimin e aseteve publike dhe administratës shtetërore në favor të një subjekti zgjedhor, presionin për largim, transferim apo ulje në detyrë të punonjësve në administratën publike, lejet e përkohshme gjatë fushatës zgjedhore për personat e dënuar për vepra penale dhe çështje të tjera të lidhura me zbatimin e ligjit zgjedhor, që kanë lidhje direkt apo indirekt me problemet e përmendura në objektin e hetimit. Në draft thuhet se hetimi i shkeljeve, objekt i veprimtarisë së këtij komisioni, është i pakufizuar për sa i përket natyrës së materialeve, dokumenteve apo provave që kërkohen të administrohen nga organet përgjegjëse. Komisioni përbëhet nga 15 anëtarë, shumica e të cilëve i përkasin partisë më të madhe të opozitës, që ka edhe kryesimin e komisionit, ndërsa zgjat jo më pak se 5 muaj. Propozohet që në rastet kur kërkohet të hetohen problematika të zgjedhjeve të përgjithshme për Kuvendin, apo të zgjedhjeve të qeverisjes vendore, shumica e anëtarëve të komisionit duhet t’i përkasë partisë më të madhe opozitare.
#