E Diel, 1 Nëntor 2026

Emërimet në polici, lëvizin nëndrejtorët e 4 qarqeve

Ndryshimet e fundit prekin Shkodrën, Lezhën, Durrësin, Fierin, por edhe Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë

Policia e Shtetit ka bërë ndryshime në drejtoritë e disa qarqeve, kryesisht në nivele të dyta. Burime nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë thanë për gazetën “Shqip”, se këtë herë ndryshimet kanë prekur nëndrejtorët e qarqeve Shkodër, Fier, Lezhë dhe Durrës. Nëndrejtorët e policive të këtyre qarqeve kanë ndërruar në tri raste vendet me njëri-tjetrin, ndërsa një prej tyre ka marrë detyrën e oficerit të policisë gjyqësore te Krimet e Rënda. Një tjetër emërim është bërë brenda Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit. Referuar lëvizjeve më të fundit, të firmosura nga drejtori i përgjithshëm i Policisë, Hysni Burgaj, kryekomisar Ilir Sula, dikur me detyrë në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë, shkon në Shkodër dhe zëvendëson atje nëndrejtorin Artan Hasanaj, ndërsa ky i fundit shkon në të njëjtën detyrë në Drejtorinë e Policisë së Qarkut të Lezhës. Hasanaj u emërua nëndrejtor i Policisë së Qarkut Lezhë në vend të Halit Muratit, që shkon në detyrë paralele në Policinë e Durrësit duke zëvendësuar atje Arben Frashërin, i cili shkon oficer i policisë gjyqësore te Krimet e Renda. Një tjetër emërim është ai i kryekomisar Taulant Kondit nga një sektor në një tjetër brenda Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit. Burimet thanë se priten edhe ndryshime të tjera në të njëjtin nivel, pra në atë të nëndrejtorëve të policive edhe në qarqet e tjera. Këto ndryshime do të bëhen gradualisht jo si në rastet e mëparshme. Të gjitha këto lëvizje mendohet t’i shërbejnë forcimit të punës së policisë dhe rritjes së forcës goditëse të saj ndaj elementit kriminal. Këto janë ndryshimet e para pas atyre të bëra me bujë dhe të publikuara në media më 4 nëntor të vitit të kaluar, ku ndryshimet prekën jo vetëm të gjithë krerët e policive në qarqe, por edhe disa prej tyre në qendër. Këto lëvizje sollën në detyra të larta disa emra të rinj, ndërsa dërguan në qendër disa prej specialistëve më të mirë të Policisë së Shtetit.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›