E Shtunë, 31 Tetor 2026

OSSH u pret energjinë debitorëve

Fier Konsumatorët kërkojnë tension më të lartë energjie në përputhje me kontratën

Ndërsa Operatori i Sistemit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike, filiali Fier, prej disa ditësh është duke kryer një aksion për ndërprerjen e energjisë te të gjithë debitorët, konsumatorët familjarë, privatë dhe ata shtetërorë kërkojnë rritje të tensionit të energjisë. Konsumatorët e energjisë elektrike në zonën e Fierit shprehen se kanë pasur dëmtime në elektroshtëpiake dhe aparatura si shkak i tensionit të lëvizshëm dhe të ulët.

Përballë ankesave pa fund për tension të ulët të energjisë elektrike, OSSH-ja e Fierit ka kryer matje të herëpashershme në gjatësinë e rrjetit të shpërndarjes.

Sipas matjeve më të fundit që i është bërë zonës energjetike të Fierit, ka dalë se afro 50% e saj ka një tension që shkon deri në 160 volt. Në disa zona tensioni shkon në 120 volt, e në shumicën e gjatësisë së rrjetit ai shkon në 140-160 volt.

Kjo ka sjellë vështirësi te konsumatorët privatë kryesisht, të cilët ankohen se me tensionin që u vjen energjia u është paralizuar biznesi.

“E kemi të papërballueshëm mbajtjen e aparaturave me këtë tension. Në kontratë na është premtuar tension 220 volt, por në realitet asnjëherë nuk arrihet kjo masë. Kemi pasur shpeshherë edhe dëmtime”, shkruhet në një ankesë të bërë nga disa biznese kundrejt filialit të OSSH-së së Fierit.
Për dëmtime të shumta si shkak i tensionit të ulët ankohen edhe konsumatorët familjarë. Ata shprehen se me dhjetëra herë u janë djegur elektroshtëpiaket dhe asnjëherë nuk janë zhdëmtuar.
Paraditen e së mërkurës, konsumatorë të ndryshëm të energjisë elektrike i janë drejtuar me një peticion prefekturës, si dhe OSSH-së së Fierit. Kjo e fundit është mjaftuar me vënien në dukje të nënstacionit më të ri të inauguruar disa ditë më parë.

Ndërkohë që ankesat për faturat e mbifryra të konsumit të energjisë elektrike kanë bërë që korridoret e OSSH-së të paraqesin një situatë me të vërtetë kaotike.

#

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›