E Diel, 1 Nëntor 2026

Raporti i DASH, përgjigja më e mirë ndaj akuzave të opozitës”

08-03-2013 / Gazeta 55

Ministri i Brendshëm Flamur Noka në ceremoninë e dhurimit të pajisjeve nga ambasada amerikane

Ministri i Brendshëm Flamur Noka e ka cilësuar raportin e Departamentit Amerikan të Shtetit si një vlerësim për policinë dhe punën e saj në luftën ndaj çdo lloj krimi apo trafiku të paligjshëm. Në ceremoninë e dhurimit të disa pajisjeve nga ambasada amerikane për policinë kufitare, Noka tha se raporti i Departamentit Amerikan tregoi qartazi dhe në mënyrë të drejtë punën e policisë duke hedhur poshtë kësisoj çdo sulm politik. Ministri i Brendshëm, Flamur Noka, nënvizoi mbështetjen e plotë dhe të gjithanshme që Ambasada dhe Qeveria e Shteteve të Bashkuara të Amerikës i ka dhënë dhe vijon t’ i japë Policisë së Shtetit në përgjithësi dhe asaj kufitare në veçanti, ndihmë që ka ndikuar në rritjen e forcës goditëse kundër krimit, kundër trafiqeve të paligjshme, por edhe të performancës në tërësinë e saj, të cilat tashmë kanë mundësuar kufij të sigurt të Shqipërisë.
“Programi i Qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës për kontrollin e eksporteve dhe sigurinë e kufijve, që vazhdon prej 10 viteve, ka mundësuar nëpërmjet donacioneve të vazhdueshme që Policia Kufitare të rrisë performancën e saj, të rrisë forcën goditëse, të rrisë eficencën dhe të mundësojë një luftë të suksesshme kundër trafiqeve të drogës e qenieve njerëzore dhe të ofrojë kufij të sigurt për shtetasit e vendit tonë”, theksoi ministri Noka.
Duke iu referuar edhe raportit më të fundmë të publikuar nga Departamenti Amerikan i Shtetit për luftën kundër drogës,  ministra Noka vuri në dukje se, “Simbolika e këtij donacioni merr një dimension krejt të veçantë, pasi vjen një ditë pas raportit të publikuar nga Departamenti Amerikan i Shtetit, ku në mënyrë të drejtë dhe të qartë vlerësohet puna e Policisë së Shtetit, vlerësohen arritjet e Policisë së Shtetit dhe vlerësohet drejt dhe korrektësisht edhe performanca e shkëlqyer e Policisë së Shtetit në luftën kundër krimit, në luftën kundër trafiqeve, në luftën kundër drogave. Ky vlerësim hedh poshtë çdo sajesë politike, çdo trillim politik, çdo akuzë politike që është hedhur në drejtimin tuaj. Të nderuar miq, bashkëpunëtorë, kolegë, funksionarë dhe drejtues të Policisë së Shtetit, ky raport është pasqyra më e mirë e punës, e kontributit e luftës dhe e suksesit të Policisë së Shtetit në misionin e saj për të siguruar qytetarët e vet dhe për t’ u shërbyer atyre. Ky raport dhe ky vlerësim është dhe do të jetë një inkurajim edhe më i madh në punën e përditshme të Policisë së Shtetit dhe të strukturave të saj, ky raport është dhe do të jetë një inkurajim edhe më i madh në përmbushjen e misionit të saj fisnik”.
Në përfundim të fjalës së tij ministri i Brendshëm, Flamur Noka, shprehur falënderimet edhe për këtë donacion, duke nënvizuar se pajisjet e dhuruar sot do të mundësojnë që Policia e Shtetit të jetë më e aftë, të rrisë performancën dhe eficencën në sigurinë e kufijve, në luftën kundër trafiqeve dhe kundër krimit të çdo lloji, duke pohuar se, “Jam i bindur se sot Policia e Shtetit është më e vendosur se kurrë, për ta vazhduar betejën e saj”.
Ndërkohë zëvendësambasadori i ShBA-ve, në Tiranë, Jardin, gjatë fjalës së tij, duke u ndaluar në asistencën e ofruar Policisë së Shtetit përmes Programit për Kontrollin e Eksporteve dhe Sigurisë Kufitare, evidentoi progresin që ka bërë Shqipëria në zbatimin e ligjit në kufi. “Programi për Kontrollin e Eksporteve dhe Sigurisë Kufitare ka dhjetë vjet që operon në Shqipëri, duke dhënë mbështetje nëpërmjet trajnimeve dhe pajisjeve të dhuruara, për të forcuar kapacitetet e Shqipërisë në tre drejtime kryesore: ndalimin e armëve të shkatërrimit në masë, lufta kundër çdo lloj trafiku të paligjshëm dhe asistenca për mospërhapjen e lëndëve bërthamore. Ambasada e Shteteve të Bashkuara përgëzon progresin që Shqipëria ka treguar në zbatimin e ligjit në kufi dhe do të vazhdojë të ndihmojë Shqipërinë nëpërmjet programit EXBS, theksoi zëvendësambasadori amerikan, duke shtuar se, përmes këtij programi, Policisë Kufitare, “i janë dhuruar më shume së 2 milionë dollar në trajnime, pajisje dhe mbështetje për të promovuar zhvillimin e kapaciteteve efikase për sigurinë kufitare, ndërkohë që dhurimi i sotëm, përfshin kamera termike dore, dylbi dite dhe nate, si dhe pajisje të tjera që arrijnë vlerën e 60.000 dollarëve dhe kjo është një provë e mëtejshme e vendosmërisë tonë për të ndihmuar Shqipërinë në arritjen e synimeve europiane”.
 
 

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›