Deputetët e PS sot në Kuvend, maxhoranca i vë në provë me ligjin e Gjykatës Administrative
Aristir Lumezi
Deputetët socialistë pritet të jenë sot në seancën plenare të Kuvendit. Vendimi do të merret në mbledhjen e paradites së sotme, ku do të diskutohet rreth qëndrimit që do të mbahet në seancën e sotme, por dhe për seancat e ardhshme deri në datën 18 mars, kur do të diskutohen dy nismat e PS-së për hetimin e zgjedhjeve. Burime pranë PS pohuan dje se kreu i grupit parlamentar Ruçi do të paraqesë qëndrimin e grupit parlamentar ndaj axhendës parlamentare, një vendim që do të merret nga mbledhja e sotme e grupit. Sipas tyre, qëndrimi i deputetëve të PS në seancë do të jetë i kushtëzuar me deklarimin publik rreth një vlerësimi politik të maxhorancës ndaj dy projekteve të paraqitura nga PS, dhe pse ato tashmë kanë hyrë në procedurë parlamentare. Konferenca e kryetarëve të grupeve parlamentare, dy ditë më parë vendosi ta dërgojë në seancën e 18 marsit propozimin e PS, duke i hapur rrugë diskutimit të tyre në komisionin parlamentar të ligjeve, ose të një grupi ekspertësh të dy partive, PS-PD. Mësohet se për të futur në rrugën e procedurave ligjore nismat e Partisë Socialiste, për hapjen e kutive të votimit, Parlamenti do të vendosë që t’i trajtojë ato me procedurë të përshpejtuar.
Për këtë qëllim, pritet që Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli të paraqesë një projektvendim të veçantë, që do të miratohet sot në seancë. Në seancën e sotme, deputeti socialist Arben Isaraj, i cili mungoi seancën e kaluar, do të bëjë betimin si deputet.
Por në seancën e sotme, deputetët socialistë do të kenë përpara dhe një rend dite që i ngarkon ata me përgjegjësi morale para komunitetit të biznesit. Maxhoranca ka vendosur në kalendar si pikën e parë të rendit të ditës miratimin e projektligjit për ngritjen e Gjykatës Administrative, një iniciativë që ka mbetur e pa miratuar për shkak të mungesës së kuorumit të 84 votave në Parlament. Pas bërjes së betimit të deputetëve të opozitës, maxhoranca e konsideron miratimin e këtij ligji, të kërkuar me ngulm nga biznesi, si një provë për opozitën, edhe për shkak se gjykata administrative është një kusht ende i paplotësuar për liberalizimin e vizave. Pjesëmarrja e socialistëve në seancat parlamentare dhe pse pjesërisht, deri në përfundimin e negociatave që ende vazhdojnë mes maxhorancës dhe opozitës, për çështjen e hetimit të zgjedhjeve, se deri ku duhet të shtrihet ai, është ndikuar dhe nga deklaratat e delegacionit të Këshillit të Evropës që ishte në Tiranë, por dhe të komunitetit ndërkombëtar në Tiranë dhe në Bruksel. Dy ditë më parë, para se kreu i ri i grupit parlamentar socialist të shkonte në konferencën e kryetarëve, Edi Rama është takuar me ambasadorin spanjoll në Tiranë, Montobbio, vendi i të cilit mban Presidencën e radhës së BE-së. Gjithashtu, kreu socialist është takuar dhe me Ambasadoren britanike në Tiranë, atë gjerman dhe Ambasadoren franceze. Kancelaritë evropiane po e ndjekin me shumë kujdes dhe hap pas hapi situatën në të dy kampet, veçanërisht kampin e majtë, ku kërkohet të përcaktohet më mirë objekti i hetimit të komisionit hetimor parlamentar. Hyrja sot në Parlament e deputetëve socialistë, kërkon të japë dhe mesazhin se ata po lëshojnë nga qëndrimet strikte dhe të panegociueshme, ndërsa presin një veprim të tillë dhe nga maxhoranca, e cila sipas tyre duhet të shprehet të paktën politikisht rreth propozimeve të PS-së.