E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama: S’mund t‘i digjnim mandatet e deputetëve



Kreu socialist Edi Rama iu përgjigj dje në Berat interesimit të gazetarëve rreth zhvillimeve politike në vend dhe qëndrimit të PS ndaj tyre. Ndërsa konsideroi thyerjen e bojkotit të opozitës, si mënyrë për mosvjedhjen e mandateve, Rama theksoi se deputetët socialistë nuk mund t’i falnin mandatet e tyre. “Mandatet s’mund t’ia falim Berishës. S’ka jetë parlamentare pa legjitimimin e mandateve. Ne nuk mund të digjnim mandatet tona dhe nuk do t’i linim ato rrugëve”, u shpreh dje Rama nga Berati. Duke folur për rastin e kutisë së Ruzhdies, Rama tha se ajo tregon manipulimin e madh që ka ndodhur në zgjedhjet e 28 qershorit. “Gjendja aktuale në Shqipëri është tejet e rënduar, nuk ka zgjidhje pa hapur kutitë” u shpreh Rama, duke shtuar se “Ruzhdia tregoi edhe një herë të vërtetën se është kryer manipulim me votat e popullit. Ne nuk do të lejojmë askënd që të vjedhë votat e popullit”. Kreu i PS-së shprehu shqetësim se vendi ka mbetur i fundit në rajon. “Ne jemi të shqetësuar që Shqipëria ka mbetur e fundit në Evropë, por kjo nuk është faji i opozitës, por i Sali Berishës. Ne do t’i bëjmë thirrje popullit që me zemrën e vet të zgjidhë atë që na kanë lidhur prej kohësh”, u shpreh Rama. Duke iu përgjigjur pyetjeve rreth aleancës PD-LSI, Rama u shpreh se “Meta deri para zgjedhjeve thoshte Sali Gërdeci, kur sot vetë ai është bashkuar me Gërdecin dhe Sali Gërdecin”. Rama komentoi dhe bllokimin e buxhetit të bashkisë Berat nga këshilltarët e djathtë dhe ata të LSI-së. “Nuk është normale që sot në Bashkinë e Beratit, të djathtët të bllokojnë buxhetin. Ata e kanë gabim se bashkia nuk është e kryetarit Fadil Nasufi, por gjithë qytetit”, tha Rama. Sipas tij, PS nuk do të lejojë që të bllokohet buxheti, për arsye se ky buxhet dhe kjo bashki është e atyre që presin të marrin përkrahjen sociale dhe shërbime të tjera. “Qeveria e ka harruar Beratin, lagjet muzeale janë drejt shkatërrimit të plotë edhe pse ky qytet është futur në UNESCO. Nga vjedhja e votës vjen dhe degjenerimi i qeverisë, këtë ka bërë Sali Berisha, por ne nuk do të lejojmë. Ne do të luftojmë që të hapen kutitë dhe pas hapjes së tyre t’i themi popullit, se kush është hajduti i vërtetë i këtij vendi”, u shpreh Rama.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›