Dritat, OSSH: Kompensim për faturat që janë me abuzime
nertila maho
Faturat që do të konstatohen me abuzime mbifaturimi do të kompensohen. OSSH ka dhënë dje detajet se si do të veprohet me konsumatorët që kanë ankesa. “Nëse data e matjes në faturë është para datës 20, atëherë faturat që do të sillen nga konsumatorët do të kontrollohen imtësisht, dhe në rast të një ankese të justifikuar e gjithë shuma e faturuar gabimisht do të zbritet nga fatura e muajit të ardhshëm”, deklarojnë pronarët çekë. Në të njëjtën kohë, lidhur me akuzat që i bëhen kompanisë, OSSH bën me dije se i ka prezantuar ERE-s dokumentacionin e plotë dhe provat që mbështesin propozimin e OSSH për rritjen e çmimeve për 2010. Po kështu i ka ofruar ERE-s të gjitha përgjigjet me specifikimet e kërkuara rishtazi. “Kërkesa për rritjen e çmimeve u bazua në nevojën për të financuar investimet dhe përmirësimet e nevojshme në rrjetin ekzistues”, thuhet në deklaratë. Ndërkohë që faturimi i energjisë së dhjetorit, me çmimin e ri të janarit, është bërë në marrëveshje me Entin Rregullator të Energjisë. Në deklaratën për shtyp, Operatori i Sistemit të Shpërndarjes thekson se ky i fundit informoi dhe ra dakord me ERE-n, që çmimet e reja do të aplikoheshin nëse matja do të bëhej mbas datës 20 dhjetor. Në këtë pikë, nga ana e OSSH-së merret si shembull viti 2008-të, në mars të të cilit çmimi i rritur u aplikua më parë. Sipas Operatorit nuk ka asnjë ndryshim në mënyrën e veprimit pasi është teknikisht e pamundur të ndahet në mënyrë strikte shpenzimi i energjisë për dhjetorin dhe janarin. Fakti që në adresë të kompanisë janë bërë një sërë akuzash për faturimin jo korrekt të konsumatorëve duke bërë mbifaturim ka bërë që OSSH të marrë masa drastike brenda stafit të vet. Dy ditë më parë drejtori i shitjeve pranë kësaj kompanie u vu para përgjegjësive dhe më pas u largua nga puna. Një pjesë tjetër e stafit të OSSH-së është në monitorim siç është kategoria e faturistëve. “Menaxhimi i lartë i OSSH-së është i pakënaqur me rezultatet e përgjithshme të proceseve të matjes dhe faturimit të energjisë, i cili ka rezultuar në ankesa nga konsumatorët” thuhet në deklaratën CEZ Grup.
Trajtimi i ankesave
OSSH ka deklaruar dje se për çdo konsumator që ka ankesë për faturimin, duhet të paraqesë këtë ankesë pranë agjencive lokale të OSSH-së. Kjo e fundit merr përsipër të hetojë dhe vlerësojë individualisht çdo rast, duke garantuar se për ankesat që provohen si të vërteta do të zgjidhen me kompensimin e plotë të shumës së faturuar gabimisht. Por OSSH-ja ka bërë me dije se fakti që konsumatorët kanë ankesa, nuk duhet të interpretohet prej tyre me mospagesë të faturës, pasi kompania do të veprojë me masa ndëshkuese duke ndërprerë energjinë elektrike. Duke pranuar në një farë mënyre edhe mundësinë e gabimeve në fatura, çekët bënë të ditur se do monitorojnë me kujdes faturuesit për të mbyllur rrugët e abuzimit me klientët.
Ministria, grup inspektimi
Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës ka vendosur të ngrejë një grup inspektimi që do të hetojë mbi ankesat e konsumatorëve për mbifaturim në faturat e muajit dhjetor 2009. Nëse ky inspektim do të nxjerrë në pah shpërdorime, atëherë ministria ka garantuar se ekzistojnë të gjitha mjetet ligjore për të detyruar OSSH të dëmshpërblejë qytetarët për mbifaturimin. Ndërkohë që vetë ministri Dritan Prifti i ka dërguar një letër OSSH-së, për të kërkuar mbledhjen urgjente të Bordit Drejtues të OSSH-së për të diskutuar në cilësinë e aksionerit të pakicës situatën e krijuar pas këtyre akuzave.