Nis ndërtimi i HEC-it të Ashtës,investimi 200 mln euro i Verbund
Kanë filluar punimet për ndërtimin e HEC-it të Ashtës. Kompania investitore Verbund e ka bërë të ditur lajmin dje gjatë një konference për shtyp. Kristin Kern, anëtar i bordit të menaxhimit të kompanisë austriake u shpreh me nota pozitive, lidhur me këtë investim, duke theksuar se dinamika e Shqipërisë është mbresëlënëse dhe se po vendosen standarde të reja në lidhje me kohën dhe ritmin e bashkëpunimit me investitorët. “HEC-i i Ashtës, ndërkohë edhe HEC-i më i madh në botë, ku është përdorur teknologjia HYDROMATRIX, pritet të sigurojë furnizimin me energji të sistemit energjetik shqiptar, si dhe t’i japë një shtysë pozitive rajonit dhe vendit”, tha Kern. Duke dhënë detaje për hidrocentralin, ai u shpreh se nëpërmjet një investimi prej 200 milionë euro, HEC-i i Ashtës pritet të prodhojë 242 milionë kwh energji elektrike në vit, duke siguruar furnizimin e më tepër se 100 mijë familjeve shqiptare, si dhe punësuar 300 punëtorë shqiptarë. I pranishëm në konferencën e lançimit të fillimit të punimeve për HEC-in e Ashtës, ishte edhe Ministri i Ekonomisë Dritan Prifti. Duke vënë në pah lehtësitë që Shqipëria ju krijon investitorëve, përmes klimës mjaft të mirë të biznesit, ministri u shpreh se projekti i Ashtës është një ndër më të fuqishmit që është duke u ndërtuar në Shqipëri. Sipas tij, fakti që një tjetër biznes i ri i shtohet listës së atyre ekzistuese, përkthehet në më shumë të ardhura për arkën e shtetit. “Ky projekt merr rëndësi edhe për faktin se një pjesë e madhe e këtij investimi, rreth 40-50 mijë euro do të mbeten në Shqipëri për kontraktorët lokalë, punëtorët, përveç faktit se rreth 300 milionë kwh do të hidhen në rrjet që do të thotë reduktim të importeve po në këtë vlerë”, u shpreh Prifti lidhur me investimin.