E Shtunë, 31 Tetor 2026

Matura, brenda prillit paratestimi në çdo shkollë



Brenda muajit prill në të gjitha shkollat e mesme do të realizohet paratestimi i maturantëve. Duke u njohur paraprakisht me nivelin e nxënësve, hartuesit e testeve do ta kenë më të lehtë për të zgjedhur pyetjet e duhura në mënyrë që të mos i rëndojnë më shumë seç duhet. Udhëzimi është dërguar në të gjitha gjimnazet. “Paratestimi do të ndihmojë në orientimin e nxënësve në lidhje me temat dhe llojet e pyetjeve që mund të bien në provimet e Maturës.”,sqarojnë burime pranë agjencisë së vlerësimit dhe arritjeve të nxënësve. Këto vlerësime do të orientojnë edhe ekspertët e testeve në lidhje me shkallën e vështirësisë së pyetjeve që do të bien në tezë. Pyetjet që do të përmbajë testi përfundimtar u përgjigjen tri niveleve të vështirësive. Ato nisin duke filluar nga dijet më të thjeshta, për të përfunduar te pyetjet më të vështira, që janë për nxënësit e shkëlqyer. është konfirmuar nga Ministria e Arsimit se rreth 80 për qind e pyetjeve të testit final do të merren nga programet orientuese që janë shpërndarë për të gjitha lëndët. Ndërkaq kandidatët që në vitet shkollore 2005-2009 kanë dhënë provimet me zgjedhje dhe nuk janë shpallur fitues në universitet, për këtë vit nuk janë të detyruar të rijapin provimet me zgjedhje. Përjashtim bëjnë rastet kur ata e kërkojnë vetë kryerjen e këtij procesi. Në përllogaritjen e pikëve për sistemin meritë-preferencë për këtë lëndë merret koeficienti që ka këtë vit. Në këto raste kandidatët i rijapin provimet me zgjedhje pranë shkollave të mesme ku kanë dhënë provimet e detyruara. Për këtë, ata duhet të bëjnë kërkesë pranë komisionit të Maturës në rrethin ku banojnë, duke paraqitur dëftesën origjinale të Pjekurisë dhe mandatpagesën e një tarife fikse. Ndërkaq,për të plotësuar formularët e aplikimit për në shkollë të lartë për provimet me zgjedhje, si dhe për renditjen e 10 programeve të studimeve të larta, maturantët do të paguajnë një tarifë fikse. Kështu, regjistrimi për në provimet e maturës do të quhet i vlefshëm vetëm në rastet kur është dorëzuar dhe mandatpagesa e aplikimit, ku për provimet e 2010-ës, është vendosur që fatura, të cilën maturantët duhet të shlyejnë për plotësimin e formularëve A1 dhe A2, të jetë 1.500 lekë të rinj.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›