E Diel, 1 Nëntor 2026

Kauzë është fitorja, jo justifikimi i humbjes

EVA ALLUSHI

Disa optimistë që kujtojnë se e gjetën kauzën, duhet t’ia vënë veshin ndonjë argumenti tjetër. Argumenti nuk ndihmon të gjithë ata, që me paditurinë normale rreth zgjedhjeve në Shqipëri, sa kohë që nuk kanë qenë pjesë reale e tyre, merren me “të përkëdhelurit” e PS, që gjithsesi ca zgjedhje i kanë drejtuar e organizuar, si pjesëtarë të shtëpisë që janë, dhe harrojnë “miqtë”, që nuk kanë haber ku është kuzhina e jo më të gatuajnë gjellën. Në Shqipëri askush nuk ka nevojë të gjejë Ruzhdien, për të treguar se zgjedhjet mbeten problematike dhe të deformuara. Madje çuditërisht e majta vetëm në këto palë zgjedhje e ka pasur të pamundur të dokumentojë parregullsitë, sepse rregullisht ka ndodhur e kundërta dhe çdo mangësi është dokumentuar e plotë edhe para ndërkombëtarëve. Dhe këtu labirinthin absolutisht nuk e zgjidh duke akuzuar në mënyrën më të pandershme dhe të papërgjegjshme 20 mijë komisionerë, të cilët, kanë vite që janë në ballë të fushatave, shumë prej syresh siç, edhe kam përmendur herë të tjera, i kemi fituar. Sepse historia e PS nuk fillon dhe mbaron sot. Në këtë optikë, hapja e kutive, transparenca e plotë, do të ishte një katarsis, i cili edhe pse i nevojshëm, do të fitonte përmasa të paparashikueshme. Ky përfundim ndillet edhe nga deklaratat djathtas, apo majtas, të të gjithë atyre që thanë se ishin vjedhur, pavarësisht pamundësisë për të vërtetuar gjë, sa kohë që Kodi i miratuar bashkarisht nga “të mëdhenjtë”, përjashtoi çdo komisioner të vogël, dëshmitar të mundshëm të procesit. Ky moment më bën të dyshoj në vërtetësinë e luftës dhe në sinqeritetin e saj, apo në dëshirën për të parë se çka në kuti..
Pra, “Hap kutitë, ose largohu”, nuk është qëllimi vërtet fundor, por një mjet, i kthyer në strategji, sa kohë që socialistët nuk po janë ende në gjendje, të ndërtojnë paralelisht një ofertë të qartë, kësaj here reale ndaj shqiptarëve dhe të tregojnë edhe më qartë rrugën e vërtetë sesi mund të ndodhë ndryshimi dhe sesi socialistët mund ta realizojnë atë.
Në kushtet ku ndodhej Edi Rama, unë nuk mund t’i heq asnjë presje qëndrimit të tij personal ndaj situatës së papritur dhe të beftë që iu krijua të nesërmen e 28 qershorit, sa kohë që ai nuk gjeti forcën të shikonte brenda vetes dhe të përballonte të vërtetën e mundit që nuk u shpërblye nga gabimet.
Për shumëkënd, madje, nuk duhet rreshtuar asnjë argument kundër, sa kohë që socialistët e bënë të tyre axhendën personale të kryetarit, pavarësisht kostove, që mund t’iu duhet të paguajnë nesër. Përpos kësaj, unë ndaj qëndrim të ndryshëm ndaj mënyrës sesi lidershipi i PS po mundohet të kapërcejë krizën brenda vetes dhe të fuqizojë krizën jashtë, duke i bartur të majtës në mënyrë krejt të panevojshme përgjegjësi, krahas përgjegjësive që duhet të mbajë kjo Qeveri si autore e vërtetë e krizës reale të shqiptarëve në çdo aspekt e mbi të gjitha në atë ekonomik. Prandaj, ka ardhur koha që po, të merremi me Ruzhdien, dhe me gjithkund ku së shpejti votohet për të zgjedhurit lokalë, sepse ndërkohë historia vazhdon, ajo nuk mund të ndalë ditën kur PS humbi.
Në të kundërt Partia Socialistë dhe e ardhmja e saj po mbetet peng i lojës që maxhoranca po e drejton, çka nuk premton asgjë të mirë, për armatën e socialistëve, të majtën në përgjithësi, po mbi të gjitha për vendin në radhë të parë. Nuk është koha që të bëjmë një lojë naïve me argumente të tipit: Nuk ecën ky vend se vidhet vota.
Jo. Pyetja që duhet bërë është: Pse vidhet vota?
Përgjigjen e thjeshtë e dinë të gjithë.
Vota vidhet sot, për të fituar një mandat qeverisës, i cili shërben në çdo ditë të tij për të vjedhur pasurinë e shqiptarëve dhe të këtij vendi, hajdutëri që çdo hajdut qeveritar e bën qelepir, sa kohë që askush nuk akuzohet e dënohet. Prandaj cikli është i mbyllur. Dhe prandaj nuk ka progres raport, apo raport progres që nuk tërheq vëmendjen e “baballarëve” të këtij vendi mbi drejtësinë dhe nevojën urgjente të reformimit të plotë të saj.
Sa kohë që ky mbetet lajtmotivi i “të shërbyerit” në qeverisje, aq kohë, ku të munden, sa të munden, do të vjedhin vota. Po këtë askush nuk po e thotë me zë të fortë, sepse me ç’duket askujt nuk i intereson.
Për sa kohë që lufta për pushtet, është luftë për pasurim, dhe inspiron cilindo, kudondodhet, është naïve të kërkojmë zgjidhjen te kutitë, të cilat po u hapën, mund të largojnë nga skena më shumë sesa Sali Berishën.
Zgjidhja kërkohet në parime e rregulla të reja, të cilat nuk ndërtohen mbi bazën e porosive të veçanta, në një kuadër zgjedhor, ku asnjëherë nuk duhet të ngatërrosh shënjestër dhe të identifikosh armikun e gabuar, ndryshe pasojat mbeten të parikuperueshme. Zgjidhja kërkohet te një reformë e thellë në sistemin e drejtësisë dhe te lufta e pandërprerë ndaj gangrenës së korrupsionit, si frymëzimi, shkaku dhe pasoja pse ky vend po ecën me këto ritme. Dhe e majta, duhet të jetë garanti i kësaj lufte, e ndodhur në opozitë. Prandaj është koha për të hedhur një hap para, gjithmonë duke i sqaruar socialistët dhe duke i thënë të vërtetën rreth bojkotit, arsyeve të elaborimit të tij dhe ndaljes së bojkotit dhe logjikës që pasoi këtë akt.
Kauza nuk mund të mbetet si furtunë në gotë, e veçuar, pa forcë, e mbi të gjitha pa lënë gjurmë, përveç ëndrrës së rizgjuar te socialistët që më 29 qershor, për largimin e Berishës me zgjedhje të parakohshme, si fryt i një bojkoti, që u shfry, në skadencë të mandatit, pa korrur as edhe një fitore reale për të majtën, flas për fitore të prekshme, se ato morale, të majtës nuk i kanë munguar kurrë.
Partia Socialiste nuk duhet të lejojë të përsëriten gabimet që e çuan në humbje më 28 qershor, ndryshe humbja e lokaleve do të ishte e pashmangshme.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›