Fashitet alarmi, 20 mijë vaksina kundër AH1N1 drejt asgjësimit
Që prej një muaji, në vendin tonë nuk është zbuluar asnjë rast i ri me gripin e derrit. Ministria e Shëndetësisë bën me dije se vendi ka kapërcyer situatën pandemike. Pas fashitjes së alarmit nga virusi AH1N1, janë më shumë se 20 mijë doza vaksinash që pritet të asgjësohen. Instituti i Shëndetit Publik bën me dije se ato skadojnë në muajin nëntor.”Vetëm 10% e 25 mije dozave që disponon janë përdorur, por i takon komitetit të pandemisë të vendosë se çfarë do të bëhet me pjesën e mbetur. Një mundësi është që ato mund të përdoren në muajin tetor, megjithatë edhe vendi ynë është futur në listën e shteteve që do të kenë një efekt financiar, pavarësisht se ai është më i vogël”u shpreh dje drejtori i ISHP-së Alban Ylli. Ai shprehu se një zgjidhje tjetër që mendohet të aplikohet është asgjësimi i vaksinave. “është plotësisht e mundur që të asgjësohen mjete mbrojtëse të cilat përdoren në shtetin publik për arsye emergjence apo për të pritur një situatë të pazakonshme”,tha Ylli. Ai shtoi se aktualisht në vendin tonë nuk ka fushatë për vaksinimin e popullatës ndaj A/H1N1, pasi nuk janë konstatuar me raste me virusin pandemik.”Sapo ka dale edhe kombinimi i ri i vaksinës së gripit sezonal për 2010-2011. Pra, nuk ka një fushatë vaksinimi në Shqipëri. Ajo ka marrë fund me dhjetor-janarin” tha Ylli.