E Shtunë, 31 Tetor 2026

Slloveni, ende pa konsensus për takimin e liderëve të rajonit



Blerina Olldashi

Sllovenia nuk ka mundur të arrijë një konsensus lidhur me pjesëmarrjen e Serbisë dhe të Kosovës në samitin që do të zhvillohet në Bërdo. Serbia nga ana e saj refuzon të ulet në një tryezë me Kosovën, duke kërkuar që kjo e fundit të prezantohet në konferencë vetëm mbi bazën e Rezolutës 12 44 dhe jo si vend i pavarur. Drejtori për marrëdhënie me publikun në Ministrinë e Jashtme të Sllovenisë, Urosh Mahkovec, në një intervistë për BBC-së bëri të ditur se përpjekjet për të siguruar pjesëmarrjen e Serbisë në konferencën e udhëheqësve të Ballkanit po vazhdojnë, por edhe nuk është arritur konsensusi. Pavarësisht pjesëmarrjes ose jo nga ana e Serbisë, takimi në Slloveni do të mbahet dhe organizatorët thonë se shumica e të ftuarve tashmë e kanë konfirmuar pjesëmarrjen. Udhëheqësit e institucioneve të Kosovës kanë deklaruar se do të marrin pjesë në konferencë vetëm në cilësi të barabartë me të gjitha vendet e tjera të rajonit.
Mahkovec shprehet se pjesa më e madhe e vendeve kanë konfirmuar pjesëmarrjen dhe deri në fund të javës mendohet të ketë një zgjidhje të pranueshme. “Ne ende po përpiqemi që t’i kemi të gjithë. Deri sot shumica nga pjesëmarrësit e kanë konfirmuar pjesëmarrjen, por një zgjidhje përfundimtare shpresojmë të gjendet deri nga fundi i kësaj jave”, tha Mahkovec. Pyetjes se çfarë nënkuptohet me “zgjidhje përfundimtare” ai tha se pretendohet që në mesin e tjerëve të jetë edhe Serbia, e cila është e vetmja që refuzon pjesëmarrjen pa kushte. “Qëllimi ynë është që të mbledhim të gjithë pjesëmarrësit e ftuar, përfshirë këtu edhe Serbinë. Puna rreth kësaj çështjeje ende po vazhdon”. Një tjetër çështje ende e paqartë është nëse do të ketë paraqitje të pjesëmarrësve në bazë të shteteve apo në bazë të emrave personalë, çështje të cilës Mahkovec e sqaron: “Kjo gjithashtu është duke u harmonizuar dhe në këtë fazë është ende e vështirë të thuhet. Por qëllimi i konferencës është që të mblidhen të gjithë udhëheqësit e rajonit dhe kjo do të shënonte herën e parë në këto 18 apo 20 vitet e fundit që ata të ulen së bashku”. Sipas tij, nuk mungon dëshira e Sllovenisë që të arrithet synimi kryesor për pjesëmarrje të plotë dhe tejkalim të problemeve mes shteteve të ndryshme, kryesisht mes Kosovës dhe Serbisë. “Qëllimi kryesor është që të ulim së bashku në një konferencë të gjithë udhëheqësit e rajonit, posaçërisht në raport me BE-në. Dhe mendoj se kjo është një porosi shumë e qartë nga pikëpamja europiane. Gjithashtu ky samit është punuar në një bashkëpunim të ngushtë me presidencën spanjolle, e cila parasheh që në qershor të këtij viti të organizojë një takim të ngjashëm të udhëheqësve të rajonit”. Mahkovec shprehet se kjo konferencë është një ngjarje e përbashkët e Sllovenisë dhe Kroacisë, e dy kryeministrave të të dyja vendeve. Pyetjes nëse do të zhvillohet samiti pa pjesëmarrjen e Serbisë, përfaqësuesi slloven i përgjigjet se takimi do të zhvillohet gjithsesi. Në këtë rast i takon Serbisë që të vendosë se në çfarë niveli dhe në ç’mënyrë do që të marrë pjesë.

SHBA
Rivlerësimi i monedhës, projektligj për tarifa speciale

Një grup senatorësh amerikanë propozuan një ligj që parashikon tarifa speciale ndaj Kinës nëse ajo nuk rivlerëson monedhën. Projektligji do t’i kërkojë Departamentit të Thesarit që të mbikëqyrë rregullisht nëse Kina po e mban artificialisht të ulët vlerën e monedhës së saj që t’u japë avantazh eksporteve në tregjet nderkombëtare. Zëdhënësi i Ministrisë kineze të Tregtisë ka paralajmëruar Shtetet e Bashkuara që mos të “politizojë” vlerën e juanit, duke thënë se kjo mund të ndikojë në marrëdhëniet dypalëshe.

Afganistan
35 të vdekur në një aksident automobilistik

Ministria e brendshme afgane tha se të paktën 35 njerëz kanë vdekur kur një autobus u përplas në një kamion dhe mori flakë në rajonin malor në veri të Kabulit. Ministria tha se autobusi po udhëtonte nga Kabuli nëpër grykën Salang në malet e larta Hindu Kish, kur u përplas me kamionin. Në mesin e të vdekurve ka burra, gra dhe fëmijë. Të mbijetuarit me plagë nga zjarri dhe lëndime tjera janë dërguar në spitalet e afërta. Autostrada kryesore e Afganistanit kalon nëpër grykën e ngushtë Salang, në të cilën shpesh herë ndodhin aksidente dhe orteqe të borës.

Turqi
Kryeministri Erdogan kërkon të dëbojë armenët

Kryeministri i Turqisë Rexhep Taip Erdogan ka kërcënuar se do të dëbojë mijëra armenë nga vendi pas përshkallëzimit të tensioneve lidhur me vrasjen masive të armenëve gjatë perandorisë Osmane.
Ai tha se nuk mund të tolerohet më prania e rreth 100 mijë armenëve që aktualisht punojnë pa leje në Turqi. Erdogan shtoi se vendimet e fundit të parlamentit të Suedisë dhe komitetit të Dhomës Përfaqësuese në Kongresin amerikan për t’i quajtur vrasjet “gjenocid”, mund t’a dëmtojnë procesin e trazuar të pajtimit me Jerevanin.

Gjermani
Merkel mbështet kursin e kursimeve të ministrit

Kancelarja gjermane, Angela Merkel, ka mbrojtur borxhin e ri rekord në buxhetin e vitit 2010. Ky buxhet është një përgjigje logjike ndaj sfidës për të rivënë fillimisht në lëvizje rritjen ekonomike, tha Merkel, gjatë debatit të përgjithshëm për buxhetin në parlament. Njëkohësisht, ajo i përgatiti qytetarët për shkurtime të ndjeshme në sektorin social. Vetëm për shkak të frenimit të borxheve, deri në vitin 2016, duhen kursyer çdo vit dhjetë miliardë euro. Kancelarja mbështeti qartë ministrin e financave, Volfgang Shojble dhe kursin e tij të kursimeve.

18 Mars 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›